Kryetari i parlamentit turk, Numan Kurtulmuş, ka deklaruar se është e domosdoshme t'u jepet fund veprimeve agresive të Izraelit në rajon.
Në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij azerbajxhanase, Sahiba Gafarova, Kurtulmuş tha se duhet t'u jepen fund operacioneve të Izraelit të cilat janë përhapur përtej Gazës në Liban dhe janë zgjeruar në territoret siriane.
Kurtulmuş tha se rezultatet fillestare me të cilat përballen kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) dhe Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) pasqyrojnë kërkesat e publikut global për drejtësi.
Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar urgjentisht pret vendosjen e paqes në Rripin e Gazës dhe përgjegjësinë për ata që janë përgjegjës për këtë gjenocid masiv.
Duke folur për lidhjet dypalëshe, Kurtulmuş potencoi thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Azerbajxhanit gjatë viteve të fundit. Ai shtoi se koncepti "një komb, dy shtete" është realizuar plotësisht.
Më tej, ai theksoi agjendën dhe programet e përbashkëta mes dy vendeve, duke vënë në dukje pikëpamjet e tyre të përbashkëta për shumë çështje.
Ai tha se bashkëpunimi i ngushtë midis grupeve parlamentare do të kontribuojë shumë në përpjekjet e diplomacisë parlamentare.