KS-OKB-ja: Të respektohet Marrëveshja e Shkëputjes e vitit 1974 në Siri / Photo: AA

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht Marrëveshjen e Shkëputjes të vitit 1974 në lidhje me "zonën e ndarjes" në Siri, duke kërkuar qetësi dhe ulje të tensioneve. Anëtarët e KS-OKB-së në një deklaratë për media riafirmuan angazhimin e tyre të fortë për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ata u bënë thirrje të gjitha vendeve të respektojnë këto parime dhe i kërkuan Sirisë dhe fqinjëve të saj që të përmbahen nga çdo veprim apo ndërhyrje që "mund të minojë sigurinë e njëri-tjetrit".

Deklarata theksoi mbështetjen për Forcën Vëzhguese të Shkëputjes të OKB-së (UNDOF) dhe për mandatin e saj, duke u kërkuar të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë e paqeruajtësve ose infrastrukturën e tyre.

Nuk ka "strehë të sigurt" për terrorizmin në Siri

KS-OKB-ja thekson rëndësinë e zbatimit të një procesi politik gjithëpërfshirës, ​​të udhëhequr dhe zotëruar nga Siria, në përputhje me Rezolutën 2254 të OKB-së.

Deklarata shprehu mbështetjen për rolin e të dërguarit të posaçëm të O⁵të KB-së, Geir Pedersen, për të lehtësuar një proces të tillë, i cili do të përmbushë "aspiratat legjitime të sirianëve", do të mbrojë të drejtat e tyre dhe do t'i lejojë ata të përcaktojnë të ardhmen e tyre "në mënyrë paqësore, të pavarur dhe demokratike".

Duke përsëritur detyrimin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, deklarata bëri thirrje për qasje të papenguar humanitare dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të rrisë mbështetjen për OKB-në dhe organizatat e tjera humanitare që ndihmojnë civilët anembanë Sirisë.

Në fund, ajo theksoi nevojën për të ruajtur stabilitetin në rajon duke mbrojtur ata që punojnë për të mbështetur paqen dhe përpjekjet humanitare.

Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit më 8 dhjetor morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Ditëve të fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në gjithë Sirinë, duke vënë në shënjestër objektet ushtarake pas rrëzimit të Asadit.

Izraeli gjithashtu njoftoi prishjen e Marrëveshjes së Shkëputjes të vitit 1974 me Sirinë, e cila lejoi krijimin e një zone tampon të çmilitarizuar në Lartësitë e Golanit, territor i pushtuar nga Izraeli.

Që atëherë, ushtria izraelite ka vendosur forca në zonën tampon, një veprim që është dënuar nga OKB-ja dhe disa vende arabe.

TRT Balkan / agjencitë