Kryeministri Kurti nuk u paraqit për intervistim në Prokurorinë Speciale          /Foto: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është paraqitur për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kurti ishte i ftuar nga Prokuroria për të dëshmuar mëngjesin e sotëm lidhur me një rast penal të cilën Prokuroria e ka në hetim, por rast i cili nuk është bërë i ditur për opinionin publik.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet në Prokurori.

Kozmaqi para mediave tha se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.

"Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do të përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër", theksoi Kozmaqi duke shtuar se nuk është vendosur për datën e ftesës së radhës.

Bazuar në informacione jozyrtare, mediat në Kosovë raportojnë se kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar në rastin për keqpërdorim të rezervës shtetërore.

TRT Balkan / agjencitë