Ushtria izraelite e cila bombardon intensivisht kryeqytetin e Libanit, Bejrutin, njoftoi se gjithsej 105 raketa u hodhën sot në qytetin e Haifa nga pala libaneze.
Në deklaratën e bërë nga ushtria izraelite thuhet se disa nga raketat e lëshuara nga Hezbollahu janë bllokuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite.
Sipas deklaratës, në fazën e parë u lëshuan 85 raketa nga Libani në Haifa dhe disa prej tyre goditën zona të caktuara në qytet dhe shkaktuan dëme.
Ndërsa nga 20 raketa të tjera të lëshuara nga Libani në qytetin Haifa, një pjesë u bllokuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe disa prej tyre goditën shtëpitë duke shkaktuar dëme.
Policia izraelite, nga ana tjetër, njoftoi se pjesët e raketave të shkatërruara në Haifa kanë rënë në 150 pika të ndryshme.
Në deklaratën e bërë nga shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom, thuhet se një grua 71-vjeçare është plagosur lehtë.
Në sulmet e Izraelit në Liban janë vrarë mbi 2 mijë persona
Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, gjithsej 2.083 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 8 tetori 2023.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.
Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar në Siri.