Libanezët ndërmjet kohës verore dhe dimërore.    / Foto: Reuters

Vendimi i kryeministrit libanez Najib Mikati për të zgjatur "aplikimin e orës dimërore deri më 20 prill", i shpallur më 23 mars, vazhdon të përballet me reagime, veçanërisht në radhët e krishtera dhe partitë politike të vendit.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e vendit NNA, kreu i Partisë së Forcave Libaneze, Caca, iu referua vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 5 të sjellë më 20 gusht të vitit 1998 duke futur orën e diellit dhe duke e lëvizur kohën me një orë përpara në javën e fundit të marsit çdo vit, duke thënë: “Vendimi i qeverisë për të shtyrë lëvizjen e orës me një orë përpara më 23 mars 2023 është antikushtetues dhe i pavlefshëm”.

Pretendimi se vendimi është marrë “për shkak të muajit të Ramazanit”

Kryeministri libanez Mikati njoftoi më 23 mars se ora verore do të futet më 20 prill.

Qeveria nuk ka dhënë arsye për shtyrjen e lëvizjes, e cila bëhet çdo vit në mars për të shfrytëzuar sa më shumë dritën e ditës, por supozohet se është bërë për shkak të muajit të Ramazanit.

Mikati në deklaratën e sotme shprehet se i vjen keq që vendimi për zgjatjen e kohës dimërore është marrë në drejtim sektar dhe ka thënë se arsyeja është thjesht “administrative”.

Libanezët përballen me dy zona të ndryshme kohore

Kisha e Krishterë Maronite në Liban njoftoi në deklaratën e saj se nuk do të veprojë sipas vendimit për shtyrjen e orës së diellit.

Pas kishës, erdhën deklarata nga organizatat joqeveritare kristiane, shkollat ​​dhe partitë politike se ky vendim i qeverisë nuk do të respektohet dhe se do të fillojë koha e verës.

Ministri i Arsimit të Lartë të Libanit, Abbas Halebi, tha i pyetur se cilën kohë duhet të ndjekin shkollat ​​dhe universitetet publike apo private, ata do të vendosin në mënyrë të pavarur.

Edhe pse Universiteti shtetëror libanez tha se do t'i bindet vendimit të qeverisë, shkollat ​​private në vend, veçanërisht institucionet arsimore të krishtera dhe perëndimore, nuk e ndoqën vendimin dhe filluan mësimet në kohën verore.

Për shkak të kësaj situate, libanezët përballen me dy zona të ndryshme kohore.

TRT Balkan / agjencitë