Suheil Hamawi, një shtetas libanez që u kthye në atdheun e tij pasi grupet opozitare përmbysën regjimin sirian dhe liruan të burgosurit nga Sednaya dhe burgjet e tjera famëkeqe në Damask, ndau përvojën e tij të hidhur gjatë 33 viteve të robërisë.
Regjimi i Bashar Asadit drejtonte qendra të shumta torture në gjithë vendin, të referuara si "qendra të vdekjes".
Pas rënies së regjimit gjatë fundjavës dhe marrjes së pushtetit nga opozita, u liruan të burgosurit kundër regjimit të mbajtur në Sednaya dhe qendra të tjera të paraburgimit.
Midis tyre ishte Hamawi, i cili u lirua nga Sednaya, burgu famëkeq i njohur si "thertore e njerëzve", për praktikat brutale të torturës.
Si viktimë e regjimit të Asadit, i cili torturoi qindra mijëra njerëz, Suheil Hamawi u rrëmbye nga forcat siriane në Liban në vitin 1991. Më pas ai u arrestua dhe u transferua në burgje të ndryshme në Siri.
I akuzuar për kundërshtimin e okupimit sirian të Libanit nga viti 1976 deri në 2005, Hamawi duroi 33 vjet burgim në kushte çnjerëzore.
"Nuk kisha shpresë të kthehesha ndonjëherë në vendlindje dhe në familje"
Duke folur me gazetarët, Hamawi shprehu mirënjohjen e tij për rifitimin e lirisë dhe kthimin në Liban pas më shumë se tre dekadash robërie.
Ai tregoi se ishte në mesin e qindra libanezëve të arrestuar nga inteligjenca siriane në vitin 1991 për kundërshtimin e pranisë ushtarake të Sirisë në Liban.
Hamawi përshkroi vuajtjet e paimagjinueshme që kaloi në burgjet siriane.
"Isha i dënuar me burgim të përjetshëm në Sednaya. Sot, jam kthyer në qytetin tim të lindjes, Chekka, i njëjti vend ku forcat siriane më arrestuan 33 vjet më parë", tha ai.
Fillimisht u transferua në qendrën e paraburgimit Anjar në Luginën Bekaa pranë kufirit midis Libanit dhe Sirisë, ndërsa më vonë u transferua në qendrat e paraburgimit në Damask dhe Latakia, përpara se të dërgohej në Sednaya.
"Kam kaluar 15 vjet në izolim para se të më vendosin në një qeli në Sednaya. Çdo ditë ishte torturë. Që nga momenti kur u ndalova, çdo frymëmarrje që merrja ishte si agoni. Nuk kisha asnjë shpresë të shihja më familjen time. Vizitat ishin krejtësisht të ndaluara dhe nuk kishim asnjë kontakt me botën e jashtme", tha ai.
Hamawi e përshkroi burgimin e tij si një gjendje e përhershme dëshpërimi dhe privimi, duke shtuar se ai kishte humbur çdo shpresë për liri. Edhe pse dëgjuan thashetheme për ndodhitë jashtë burgut, megjithatë të burgosurit kishin pak pritshmëri për liri.
"Kur dëgjova të shtëna, nuk e dija se kush kishte ardhur për të më liruar. Kam ecur për 15 kilometra përpara se dikush të më çonte në Liban", tha ai.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, Hamawi është shtetasi i parë libanez që kthehet në shtëpi pasi u lirua pas rënies së regjimit të Asadit.
Të arrestuarit libanezë në burgjet siriane
Një shoqatë e të burgosurve politikë libanezë në burgjet e Sirisë vlerëson se 622 qytetarë libanezë mbeten të zhdukur me forcë në qendrat siriane të paraburgimit. Shumë prej tyre u rrëmbyen gjatë okupimit 29-vjeçar sirian të Libanit.
Gjatë kësaj periudhe, regjimi arrestoi qytetarë të shumtë libanezë, duke i akuzuar ata për kundërshtim të pranisë ushtarake të Sirisë, ose për bashkëpunim me grupe kundër regjimit.
Shumë u transferuan në burgjet siriane, ndërsa familjet shpesh humbnin kontaktet me të dashurit për dekada.
Disa nga të arrestuarit besohet se janë liruar pas zhvillimeve të fundit në Siri.
"Thertorja e njerëzve"
Raportet nga organizatat ndërkombëtare zbulojnë se burgu Sednaya, i vendosur 30 kilometra në veri të Damaskut, u bë një qendër paraburgimi për aktivistët kundër regjimit dhe kundërshtarët ushtarakë pas kryengritjes së vitit 2011. Burgu udhëhiqej nga Ministria e Mbrojtjes e regjimit të Asadit dhe u bë famëkeq për torturat sistematike dhe ekzekutimet masive.
Ndërmjet viteve 2011 dhe 2015, raportet tregojnë se deri në 50 të burgosur u vranë duke u varur çdo javë ose dy herë në javë, ndërsa ekzekutimet u kryen në heshtje dhe fshehtësi. Të burgosurit përjetonin kushte çnjerëzore, tortura të përsëritura dhe privim të qëllimshëm nga ushqimi, uji, ilaçet dhe kujdesi mjekësor.
Një hetim i vitit 2017 nga Amnesty International arriti në përfundimin se krimet e kryera në Sednaya, duke përfshirë torturën dhe ekzekutimet masive, përbënin krime kundër njerëzimit. Këto shkelje ishin pjesë e politikës më të gjerë të regjimit të Asadit për dhunë sistematike kundër civilëve.