Libani regjistron shtatë shkelje të reja të armëpushimit nga Izraeli / Photo: AA

Ushtria izraelite kreu shtatë shkelje të tjera të armëpushimit të brishtë Izrael-Liban që hyri në fuqi më 27 nëntor.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), shkeljet ndodhën në distriktin Bent Jbeil në Libanin jugor dhe distriktin Akkar në Libanin verior. Ato përfshinin granatime artilerie, fluturime me avionë luftarakë, një sulm ajror, të shtëna me armë zjarri dhe inkursione.

Transmetuesi shtetëror i Libanit raportoi se avionët luftarakë izraelitë goditën të premten pikën kufitare Arida në Akkar, duke dëmtuar infrastrukturën dhe duke prerë rrugën që lidh Libanin me Sirinë.

Më 27 nëntor, një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi me shpresën për t'u dhënë fund luftimeve 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut. Megjithatë, armëpushimi përshkruhet si i brishtë, pasi rreth 150 shkelje izraelite u dokumentuan nga Libani.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraelit i kërkohet të tërheqë në faza forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, që është kufiri de fakto midis dy vendeve, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset në Libanin jugor brenda 60 ditëve.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga ShBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Mbi katër mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban, si dhe mbi një milion të tjerë janë zhvendosur që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

TRT Balkan / agjencitë