Fituesi i zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën më 24 mars në Senegal, 44-vjeçari "kundër sistemit" (opozitar) Bassirou Diomaye Faye, u bë presidenti më i ri i vendit të tij dhe i Afrikës.
Vëmendje ka tërhequr historia që shtrihet nga burgu në postin e presidencës të Faye, i cili ishte krahu i djathtë i liderit të opozitës Ousmane Sonko dhe i cili hyri në garën presidenciale në vend të Sonkos që humbi të drejtën për t'u zgjedhur.
Sipas rezultateve të para jozyrtare, Faye, i cili mori 57 për qind të votave, u bëri një surprizë të madhe senegalezëve natën e 24 marsit duke tejkaluar rivalin e tij më të ngushtë, kandidatin e koalicionit qeveritar, Amadou Ba i cili mori 31 për qind të votave.
Faye dhe mbështetësit e tij të cilët e përshkruajnë veten si "kundër-sistemit", edhe pse përsërisnin shpesh se prisnin fitore në raundin e parë, opinioni i përgjithshëm ishte se Faye do të zgjidhej në raundin e dytë. Emri i Faye-s i cili nuk ishte i njohur pothuajse nga askush para fillimit të procesit të zgjedhjeve presidenciale, edhe pse u kritikua si pa përvojë ai krijoi imazhin e një "burri shteti të ri" në kontinentin e ri afrikan.
Ndryshe nga katër presidentët e zgjedhur, fakti që Faye nuk kishte mbajtur kurrë poste të rëndësishme politike më parë, e përforcoi imazhin e tij si një "kandidat presidencial kundër sistemit".
"Plani B i Sonko-s"
Miqësia e Fayes dhe Sonkos, që u prezantua si "Plani B i Sonkos", daton që nga periudha e tyre kur ata kryenin detyrën si inspektorë tatimorë. Faye dhe Sonko, të cilët kanë punuar të dy si inspektorë tatimorë përpara se të themelonin partinë e tyre të mbyllur PASTEF, që nga ajo kohë e deri më tani ata kanë qenë në një lidhje vëllazërore.
Për shkak të miqësisë së tij për Sonkon, Faye e quajti djalin e saj Ousmane. Ai ishte ndër themeluesit e PASTEF në vitin 2014 dhe më pas shërbeu si sekretar i përgjithshëm i partisë. Faye u arrestua në prill 2023 me akuzën e "përhapjes së lajmeve të rreme" në ngjarjet e rrugës të lidhura me Sonkon dhe ai qëndroi i arrestuar për 11 muaj.
Ndërsa Sonko mori një dënim me burg 2 muaj me kusht në çështjen e ngritur në maj 2023 me arsyetimin se ka shpifur për ministrin e Turizmit, Mame Mbaye Niang, por ky dënim nuk e ka penguar të drejtën e tij për t'u zgjedhur. Sonko, i cili u arrestua në korrik 2023 për marrjen me forcë të celularit të një xhandarmërie që donte të regjistronte videon e tij, u arrestua më pas me akuzën e "thirrjes për kryengritje".
Menjëherë pas arrestimit të Sonkos, u shpërbë edhe partia e tij PASTEF.
Fushata zgjedhore me 2 emra dha rezultat
Mbështetësit e Sonkos aplikuan për kandidaturë në dhjetor 2023 në emër të liderit të tyre i cili vazhdonte të ndodhej në gjendje arresti, por lideri i opozitës u përball me një tjetër pengesë ligjore këtë herë.
Gjykata e Lartë shqyrtoi ankesën e avokatëve të ministrit të Turizmit, Niang, dhe në muajin janar vendosi që Sonko të dënohej me 6 muaj burg me kusht. Sipas ligjit zgjedhor, Sonko humbi të drejtën për t'u zgjedhur për shkak të dënimit me 6 muaj.
Nën dritën e këtyre zhvillimeve, përveç Fayes krahut të djathtë të Sonkos, për kandidaturë në zgjedhjet presidenciale aplikoi edhe Habib Sy, një tjetër emër i afërt i Sonkos. Edhe pse të dy emrat ishin në listën përfundimtare të Këshillit Kushtetues, Sonko dhe mbështetësit e tij vendosën të bashkohen rreth Fayes.
Ndërsa gjendja e arrestit të Fayes vazhdonte u krijua "Koalicioni Diomaye" dhe mbështetësit e Sonkos filluan procesin zgjedhor me sloganin "Diomaye mooy Sonko (Diomaye është Sonko), Sonko mooy Diomaye (Sonko është Diomaye)" në gjuhën lokale wolof.
Teksa fotot e Fayes dhe Sonkos u printuan krah për krah në posterat zgjedhore, votuesit u bindën se vota e dhënë për Fayen ishte në të vërtetë votë e dhënë ndaj Sonkos.
Doli nga burgu 10 ditë para zgjedhjeve, zgjidhet në krye të vendit
Njoftimi i presidentit Macky Sall në një deklaratë më 3 shkurt se ka shtyrë zgjedhjet që ishin planifikuar për t'u mbajtur më 25 shkurt, krijoi një efekt bombë në vend. Ky vendim i cili u kritikua nga pothuajse të gjitha qarqet kryesisht nga opozita, shkaktoi ngjarje të rrugëve. Tensionet që u rritën me vendimin e shtyrjes solli një zhvillim që e çoi Fayen drejt fitores në përfundim të procesit.
Presidenti Sall, i cili u akuzua për kryerjen e një "grusht shteti kushtetues dhe institucional", për të ulur tensionet nxori një amnisti të përgjithshme politike. Teksa nisi procesi për partinë e mbyllur PASTEF dhe lirimin e shumë të arrestuarve pranë Sonkos, më 14 mars i erdhi radha Sonkos dhe Fayes.
Mbështetësit e Fayes dhe Sonkos dolën në rrugë me pasqyrimin në media të lajmit se dy emrat do të liroheshin, ndërkohë që ata i pritën liderët e tyre me një kortezh që shtrihej me kilometra. Falë amnistisë, ra dënimi i mëparshëm ndaj Sonkos dhe atij iu rikthye e drejta për t'u zgjedhur. Vendimi i presidentit Sall për të shtyrë zgjedhjet luajti rol të madh në zgjedhjen e Fayes si president.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në datën që u përcaktuan për herë të parë më 25 shkurt, amnistia politike nuk do të ishte në rend dite ndërsa edhe dalja nga burgu i dy emrave vlerësohej si mundësi shumë e largët.
Edhe pse nuk kishte asnjë pengesë që Faye të merrte pjesë në zgjedhje gjatë kohës që ishte në burg, kishte pikëpyetje serioze se si do ta kryente këtë detyrë nëse zgjidhej. Deklarimi nga Partia Demokratike e Senegalit, partia kryesore opozitare e ish-presidentit Abdoulaye Wade për mbështetjen e saj për Fayen në momentin e fundit, siguroi kontribut të rëndësishëm në votat e figurës së opozitës.
"Zgjedhja e Fayes do të inkurajojë të rinjtë në kontinent"
Faye hyri në historinë e vendit edhe si opozitari i parë që fitoi garën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Mohamed Diop, studenti 23-vjeçar në mjekësi, në një deklaratë për Anadolu tha se zgjedhja e Fayes ka siguruar motivim për rininë në Senegal. "Thuhet se demokracia nuk funksionon në Afrikë, por ne treguam se kjo nuk është e tillë në Senegal. Pavarësisht të gjitha pengesave, ne zgjodhëm një kandidat kundër sistemit. Si të rinj është rritur shpresa jonë për vendin tonë", deklaroi Diop.
Ndërsa 30-vjeçarja Diara Sarr tha se beson që zgjedhja e Fayes do të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm në Senegal por edhe në të gjithë Afrikën. "Kontinenti afrikan është i ri, por ata që na qeverisin janë të moshuar, larg realitetit dhe të shkëputur nga shoqëria. Të rinjtë janë të distancuar nga politika, duke menduar se 'sistemi nuk do të më lejojë gjithsesi'. Unë mendoj se Faye do ta shkatërrojë këtë imazh dhe do të inkurajojë të gjithë të rinjtë në kontinent", tha Sarr.