Rrugëtimi politik i presidentit iranian Ebrahim Raisi / Photo: AA

I njohur si jurist dhe figurë fetare, presidenti iranian Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në një aksident me helikopter të dielën, ka lindur më 14 dhjetor 1960 në Mashhad.

Ish-kreu i gjyqësorit, Raisi ishte presidenti i tetë i Iranit. Ish-prokurori dhe gjyqtari u zgjodh në postin e presidentit në vitin 2021.

Pas Revolucionit Iranian të vitit 1979, ai filloi karrierën e tij si prokuror në vitin 1981. Duke u ngjitur shpejt në gradë, Raisi u bë zëvendëskryeprokurori i Teheranit në moshën 25-vjeçare.

Ai ishte pjesë e një komiteti prej katër anëtarësh i cili nën udhëzimet e liderit revolucionar të Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, vendosi dënime me vdekje për kundërshtarët e regjimit të burgosur në vitin 1988.

Pas vdekjes së Khomeinit dhe gjatë mandatit të Ali Khameneit, Raisi u ngrit me shpejtësi në gradat. Ai ishte kryeprokurori i Teheranit nga viti 1989 deri në 1994.

Në vitin 1994 Raisi u emërua në krye të Organizatës së Inspektoratit Shtetëror, detyrë të cilën e mbajti për dhjetë vjet.

Në vitin 2004 Raisi u emërua nënkryetar i parë i drejtësisë. Ai më vonë u bë prokuror i përgjithshëm i Iranit në vitin 2014 dhe në vitin 2016 Khamenei e emëroi atë kreun e faltores dhe fondacionit Imam Reza në Mashhad.

Raisi kandidoi edhe në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 19 maj 2017, por humbi nga presidenti i atëhershëm Hassan Rouhani.

Pasi Khamenei shkarkoi Ayatollah Amoli Larijani si kreu i gjyqësorit dhe e emëroi atë në krye të Këshillit të Vlerësimit të Përshtatshmërisë, Raisi mori postin vakant të kreut të gjyqësorit në mars 2019.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 18 qershor 2021, Raisi fitoi me një diferencë të madhe, duke siguruar 62 për qind të votave, duke u bërë presidenti i tetë i Iranit.

Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian humbën jetën në një aksident me helikopter të dielën.

Helikopteri me presidentin iranian Ebrahim Raisi thuhet se bëri një “ulje të vështirë” dje për shkak të kushteve atmosferike teksa po kthehej nga ceremonia e hapjes së digës në kufirin me Azerbajxhanin.

Zëvendës guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor Jabbarali Zakiri tha se dy nga tre helikopterët në karvanin e Raisit u ulën, ndërsa njëri u rrëzua.

Në momentin e aksidentit, Raisi shoqërohej nga ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, Guvernatori i Azerbajxhanit Lindor Malik Rehmati dhe udhëheqësi i lutjeve të së Premtes në qytetin e Tabrizit Ayatollah Al-Hashem.

TRT Balkan / agjencitë