Llavrov: Presidentit të Ukrainës i mungon "vullneti për paqe" / Foto: AA

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Llavrov, ka deklaruar se presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i mungon "vullneti për paqe".

Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, shefi i diplomacisë ruse theksoi se autoritetet ukrainase flasin vetëm për luftë dhe përdorin retorikë agresive.

"Çdo armëpushim është jashtë diskutimit (për autoritetet ukrainase). Ndalimi i negociatave me udhëheqjen ruse, i vendosur nga Zelenskyy më 30 shtator 2022, vazhdon të jetë në fuqi. Nxirrni konkluzionet tuaja", tha Llavrov.

Më tej, Llavrov pranoi se ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme e zhvendosën fokusin nga Ukraina, megjithatë "shkaktimi i një disfate strategjike ndaj Rusisë" vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të Perëndimit.

"I ashtuquajturi format ‘Ramstein’ vazhdon të funksionojë, në të cilin përfaqësues të më shumë se 50 vendeve diskutojnë kërkesat e Kievit për pajisje ushtarake dhe municione në baza mujore", tha Llavrov, duke iu referuar takimeve në bazën ajrore amerikane në Gjermani.

"As Washingtoni dhe as Brukseli nuk refuzojnë t’i ofrojnë ndihmë regjimit të Kievit, duke lënë të kuptohet se pa të, ai ka për të mbaruar keq. Ata janë ende të interesuar të mbajnë prapa Rusinë me duart dhe trupat e ukrainasve", shtoi ai.

Perëndimi ka ofruar mbështetje të paprecedentë humanitare, ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, ku Rusia nisi "operacionin special ushtarak" në muajin shkurt. Megjithatë, thuhet se mbështetja po pakësohet mes mosmarrëveshjeve të brendshme politike dhe sfidave fiskale.

Duke iu referuar çështjes së kontrollit të armëve, Lavrov fajësoi ShBA-në për shkatërrimin e shtyllave të kontrollit të armëve. Ai theksoi se ShBA-ja ose ka shkelur drejtpërdrejt marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre ose ka krijuar kushte që e bëjnë të pamundur zbatimin e tyre.

"Logjika e Washingtonit është e thjeshtë. Shtyllat që siguruan dominimin e ShBA-së po u rrëshqasin nga poshtë këmbëve. Kryesisht për shkak të gabimeve të vetë amerikanëve… në përpjekje për të ngadalësuar humbjen e pozitës së hegjemonit, ata u mbështetën në forcë", tha Llavrov.

AA