Lufta e dronëve: Fluturaket që po përcaktojnë dinamikat e luftës në Ukrainë     Foto: Reuters

Që nga katapultet në mesjetë e deri te tankset e rënda në Luftën e Dytë Botërore, një armë revolucionare shpesh mund të bëhet simbol i një epoke.
I tillë është rasti i dronëve modernë dhe pajisjeve të tjera të lehta pa pilot. Çmimi i tyre relativisht i ulët, fleksibiliteti në përdorim dhe më e rëndësishmja, minimizimi i rrezikut për humbje në njerëz po i bën dronët jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të kërkuar në fushëbetejat moderne.
Dronët e sofistikuar luftarakë deri para disa vitesh ishin ekskluzivitet i shteteve më të përparuara ushtarakisht. Por, gjërat po ndryshojnë shpejt dhe tashmë përdorimi i tyre, qoftë për qëllime spiunazhi a për aksione luftarake, po bëhet i qasshëm edhe për kombet më të vogla.
Këtë e dëshmojnë luftërat e fundit të shekullit XXI, e sidomos lufta në Ukrainë, ku që nga fillimi i invazionit rus në shkurt të këtij viti, dronët e kanë fjalën kryesore.
Së fundmi një dron kamikaz i prodhimit iranian, u bë temë e përplasjeve politike në arenën ndërkombëtare.
Ukraina dhe ShBA-ja thonë se Rusia po përdor dronët Shahed-136 të prodhuar në Iran për të sulmuar caqe civile në disa rajone ukrainase, përfshirë Kievin. Moska dhe Teherani i mohojnë këto akuza.
Por, çfarë dronësh në përgjithësi po përdoren në luftën e Ukrainës?
Dronët Bayraktar TB2 Droni Bayraktar TB2 i prodhuar në Türkiye nga kompania Baykar u bë simbol i rezistencës ukrainase në fillim të invaziont rus. Me të sulmoheshin kolonat e armatosura ruse, por edhe kolonat e furnizimit, kryesisht cisternat e naftës dhe furnizime të tjera për ushtrinë ruse.
Ushtria ukrainase u lavdërua me sukseset e TB2 duke shpërndarë video nga aksionet e tij në rrjetet sociale, ndërsa populli ukrainas thurri këngë për të.
I prodhuar fillimisht për nevojat e ushtrisë turke, Bayraktar TB2 është dron i sofistikuar luftarak për lartësi të mesme.
Mund të qëndrojë në ajër për rreth 27 orë pa ndërprerje dhe deri 300 kilometra larg qendrës së kontrollit.
Ai mund të armatoset me disa raketa të ndryshme gjithashtu të prodhimit turk, të kompanisë Roketsan.
Bayraktar TB2 u dëshmua edhe në aksionet e ushtrisë turke në Siri dhe Irak dhe luftën e Nagorno-Karabakh ku ushtria e Azerbejxhanit e përdori për të shkatërruar tanket armene. Megjithatë njohjen e vërtetë ndërkombëtare e arriti pikërisht në luftën në Ukrainë.

Switchblade dronët kamikazë

ShBA-ja i ka dërguar Ukrainës mbi 700 dronë Switchblade të prodhuesit AeroVironment. Varianti Switchblade 300 është dron miniaturë kamikaz, që funksionon si dron-bombë duke u sakrifikuar me përplasje në cak.
Me 61 centimetra gjatësi dhe 2.7 kilogram peshë, Switchblade 300 është i dizajnuar për aksione të vogla pasi nuk mund të fluturojë më shumë se 10 minuta. Gjithashtu, për kontrollimin e tij, qendra e kontrollit duhet të jetë në afërsi prej 10 kilometrash.
Raketa e saj është e dizajnuar për shpërthim të kontrolluar, duke synuar vetëm cakun dhe duke tentuar të minimizojë dëmin kolateral. Rregullimet e ushtrisë së ShBA-së e karakterizojnë Switchblade si raketë e jo si dron.
Gjithashtu i ka dhënë Ukrainës dronët Switchblade 600, një version shumë më i madh që peshon rreth 55 kilogram. Është i dizajnuar të fluturojë deri 40 kilometra në 20 minuta.
Autoritet amerikane e kanë angazhuar kompaninë prodhuese që të rrisë prodhimin e dronëve Switchblade për nevojat e ushtrisë ukrainase.

Shahed-136 dronët kamikazë

Edhe pse Irani dhe Rusia mohojnë përdorimin e dronëve kamikazë Shahed-136 në luftën në Ukrainë, qeveria e Kievit dhe ShBA-ja këmbëngulin se kanë dëshmi të shumta për përdorimin e tyre. Së fundmi, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy pozoi pranë një droni të rrëzuar iranian.
Shahed-136 është i gjatë 3.5 metra me krahët e gjerë 2.5 metra dhe peshon rreth 200 kilogram. Në majë bart raketën shpërthyese që peshon rreth 30 deri 50 kilogramë.
Droni iranian i prodhuar nga HESA dhe përdor motor mekanik, mjaft të zhurmshëm dhe alarmues.
Ukraina thotë se për shkak të zhurmës që prodhojnë, ata janë lehtë të identifikueshëm dhe nuk përbëjnë rrezik për ushtrinë, e cila po rrëzon numrin më të madh të dronëve iranianë. Prandaj, sipas ukrainasve, Rusia ka filluar t’i përdorë ato në caqe civile.
Dronët Shahed-136, përkundër efikasitetit të ulët, mbeten atraktivë për fushëbetejë për shkak të çmimit të tyre prej vetëm 20 mijë dollarëve për cope.

Dronët Orlan-10

Dronët Orlan-10 janë dronë të vegjël të prodhimit rus, të dizajnuar fillimisht për spiunazh. Megjithatë, një version i mbindërtuar, i aftë për të sulm, sipas raportimeve po përdoret në Ukrainë.
Orlan-10 ka shpejtësi maksimale prej 150 km/h ndërsa mund të performojë deri në 110 km largësi. Ai mund të fluturojë rreth 16 orë pa ndërprerje.
Versioni i përmirësuar mund të mbajë 4 raketa shpërthyese. Sipas ushtrisë ukrainase, të paktën 85 dronë Orlan-10 janë rrëzuar që nga fillimi i invazionit rus. Besohet se Rusia ka prodhuar rreth 1.500 të tillë gjithsej.

Dronët Phoenix Ghost

Të prodhuar nga komapnia Aevex Aerospace, dronët Phoenix Ghost janë dronë kamikazë, shumë të ngjashëm me prodhimin tjetër amerikan Switchblade.
Phoenix mund të fluturojë deri në 6 orë dhe të përdoret për spiunazh para goditjes në cak. Është i pajisur me kamera infrared për operim gjatë natës. Përshkruhet si shumë efektiv ndaj caqeve mesatarisht të armatosura tokësore.
Phoenix Ghost është prodhim i ri amerikan dhe nuk ka shumë informacione ose materiale digjitale për specifikat e saj. ShBA-ja, sipas raportimeve, i ka dërguar Ukrainës rreth 700 dronë Phoenix Ghost – 120 në prill dhe 580 në korrik të këtij viti.
Përveç dronëve luftarakë, në luftën e Ukrainës po përdoren edhe një dyzinë llojesh të tjera të dronëve më të vegjël për qëllime spiunazhi. Shpesh përdoren edhe dronë komercialë, që mund të blihen nga secili, e që i shërbejnë ushtrisë për shkak të kamerave që kanë në bord.

TRT Balkan / agjencitë