Macron: Autoritetet kosovare kanë vendosur të mos respektojnë marrëveshjen.     /Foto: AA 

Presidenti francez Emmanuel Macron ka fajësuar autoritetet në Kosovë për "dështimin e respektimit të marrëveshjes" me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për të përshpejtuar integrimin e tyre në bllokun evropian.

"Autoritetet kosovare kanë vendosur të mos respektojnë marrëveshjen e arritur, procesin që ishte iniciuar me ndërmjetësimin evropian, ku ishim të përfshirë me kancelarin Scholz dhe që kishte mundësuar përparim të konsiderueshëm pikërisht falë negociatorit Miroslav Lajçak dhe gjithashtu përfshirjes së Josep Borrellit", tha Macron.

Macron këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij sllovake, Zuzana Çaputova, në margjinat e forumit GLOBSEC, që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë.

"Ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim të vazhdohet me këto zgjedhje brenda kornizës që, siç e dini, ishte pothuajse mospjesëmarrje", tha Macron.

Më tej, presidenti francez njoftoi se së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Moldavi do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Shpresoj që nesër, në margjinat e Komitetit Politik Evropian me kancelarin Scholz, siç bëmë në margjinat e seancës në Pragë, të mund t'i shohim së bashku presidenten e Kosovës dhe atë të Serbisë. Ka një përgjegjësi shumë të qartë dhe një dështim në respektimin e një marrëveshjeje, e cila megjithatë ishte e rëndësishme dhe e cila ishte lëshuar vetëm disa javë më parë", tha Macron.

Zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës

Prej 26 majit, demonstruesit serbë janë mbledhur jashtë komunës së Zveçanit për të ndaluar kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë të hyjnë në objektet komunale.

Protestuesit të hënën tentuan të tejkalojnë kordonin e policisë para objektit të komunës, pas çka forcat policore kosovare përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Gjithashtu, edhe forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) përdorën gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë demonstruesit, të cilët refuzuan të tërhiqen dhe u përgjigjën duke hedhur gjë sende të forta në drejtim të trupave të KFOR-it.

Muajin e kaluar, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të vendit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës në zgjedhjet e 23 prillit votuan vetëm 3,47 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas zgjedhjeve, BE-ja në një deklaratë me shkrim tha se pjesëmarrja e ulët nuk u dha komunave zgjidhje politike afatgjate.

Derisa tensionet u rritën në rajon, Serbia fqinje urdhëroi ushtrinë e saj të niset drejt kufirit me Kosovën dhe kërkoi nga NATO-ja që të "ndalojë dhunën kundër serbëve lokalë në Kosovë".

BE-ja kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet për të përparuar në integrimin e tyre në bllok.

TRT Balkan / agjencitë