Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje të premten për një tërheqje "të plotë" të forcave izraelite nga territori libanez, duke theksuar nevojën për përpjekje të përshpejtuara për ta siguruar sovranitetin e Libanit.
“Forcat e Armatosura libaneze duhet të forcohen si një shtyllë sovraniteti”, tha Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij libanez në kryeqytetin Bejrut.
Kjo është vizita e parë e Macronit në Liban që kur Joseph Aoun u zgjodh president libanez pas më shumë se dy vjet bllokimi politik.
Sipas Presidencës franceze, vizita njëditore synon të mbështesë qeverinë libaneze në forcimin e sovranitetit dhe stabilitetit mes sfidave të vazhdueshme.
“Izraeli duhet të tërhiqet nga Libani i Jugut dhe shteti libanez duhet të ketë kontrollin e armëve”, tha Macron.
"Është thelbësore të sigurohet sovraniteti i Libanit dhe siguria e popullit të tij," theksoi ai, duke theksuar rëndësinë e përparimit diplomatik që deri më tani ka çuar në një tërheqje të pjesshme izraelite.
Ai gjithashtu bëri thirrje për "përshpejtimin" e zbatimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Macron kërkoi veprim më të shpejtë për ta konsoliduar paqen dhe sigurinë, duke thënë: "Është e nevojshme të përshpejtohet rekrutimi dhe konsolidimi i Forcave të Armatosura Libaneze, duke e përfshirë mbështetjen ndërkombëtare në drejtim të pajisjeve, trajnimit dhe ndihmës financiare".
Ai theksoi rolin e aktorëve kryesorë rajonalë si Arabia Saudite dhe Katari në ndihmën e këtyre përpjekjeve.
Macron riafirmoi angazhimin e gjatë të Francës ndaj Libanit duke iu drejtuar kombit përkrah presidentit libanez Joseph Auon.
"Pranvera u shfaq dhe ju jeni kjo shpresë," tha ai, duke përgëzuar udhëheqjen e Libanit për përfundimin e një vakumi të zgjatur politik dhe punën drejt ndërtimit të shtetit.
Ai kujtoi gjithashtu qëndrueshmërinë e Libanit gjatë krizave, duke përfshirë shpërthimin e portit të Bejrutit dhe konfliktet e fundit.
Presidenti francez njoftoi planet për një konferencë ndërkombëtare në Paris për të mobilizuar burimet për rindërtimin e Libanit, veçanërisht në zonat e shkatërruara nga lufta.
Ai vuri në dukje se Franca dhe Bashkimi Evropian do të dyfishojnë përpjekjet e tyre, me BE-në që do të ndajë 130 milionë euro për iniciativat e sigurisë dhe rindërtimit.
Macron theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar mekanizmat e paqes, duke i përshkruar marrëveshjet e fundit si një "sukses të çmuar diplomatik që ka shpëtuar jetë".
Në përfundim të fjalëve të tij, Macron u zotua për mbështetjen e palëkundur të Francës, duke thënë: "Ne kemi qëndruar pranë jush gjatë kohëve më të errëta dhe do të qëndrojmë në anën tuaj në rindërtimin e një Libani sovran, të begatë dhe të bashkuar".