Presidenti francez Emmanuel Macron ka uruar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, duke shprehur dëshirën që ky vit të sjellë përparime të rëndësishme në zbatimin e marrëveshjes ndërqeveritare për projekte prioritare dhe në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Macron i ka përcjellë Vuçiqit mesazhin se “nënvizon rëndësinë që i kushton forcimit të marrëdhënieve mes dy popujve dhe shteteve ndërmjet vete”.
“Jam i lumtur që vizitat tona të ndërsjella vitet e fundit kanë mundësuar thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit tonë dypalësh në fusha të reja, si kërkimi dhe shfrytëzimi i metaleve dhe mineraleve strategjike, energjia, bujqësia, inovacioni dhe inteligjenca artificiale. Franca është e bindur në të ardhmen evropiane të Serbisë dhe do të vazhdojë të mbështesë dinamikën e afrimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe të gjitha reformat thelbësore që do të kontribuojnë në këtë drejtim”, ka theksuar Macron, sipas Shërbimit për bashkëpunim me mediat të Presidencës së Serbisë.
Në fund, Macron ka nënvizuar se Franca “do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, bazuar në angazhimet e pranuara nga të dyja palët në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit”.
Festa e Sretenjes, të cilën besimtarët ortodoksë e shënojnë më 15 shkurt, u shpall si Dita e Shtetësisë së Serbisë në vitin 2002.