Macron nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të forcave tokësore në Ukrainë.    /Foto: AP

Presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësore perëndimorë në Ukrainë "për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë".

"Nuk ka asnjë konsensus sot që trupat tokësore duhet të dislokohen në mënyrë zyrtare, të pranuar dhe të miratuar. Por, asgjë nuk duhet të përjashtohet në dinamikë", tha Macron në një konferencë për media të hënën në mbrëmje në Paris, duke shtuar:

"Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë". Deklarata e Macronit vjen pas një samiti special në Paris në mbështetje të Ukrainës.

Gjithsej 21 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane si dhe përfaqësues nga ShBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe ishin mbledhur në Pallatin Elysee me iniciativën e Macronit.

Në deklaratën e tij, Macron theksoi se shumë njerëz që thonin "kurrë, kurrë" sot janë të njëjtit njerëz që thonin dy vite më parë: "Kurrë, kurrë tanke, kurrë, kurrë avionë, kurrë, kurrë raketa me rreze më të gjatë".

"Në frontin ukrainas, pozicionet po bëhen më të ashpra dhe ne gjithashtu e dimë se Rusia po përgatit sulme të reja, veçanërisht për të ngatërruar publikun ukrainas", tha presidenti francez. Ai njoftoi krijimin e një koalicioni për goditje dhe furnizim me raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjata.

Kryeministri i Francës Gabriel Attal gjithashtu nuk përjashtoi dislokimin e trupave tokësore në Ukrainë. "Asgjë nuk mund të përjashtohet në një luftë në zemër të Evropës", tha Attal për radion franceze RTL të martën në mëngjes.

TRT Balkan / agjencitë