Macron viziton Bejrutin pas zgjedhjes së Joseph Aounit si president       / Foto: Reuters

Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti sot në Bejrut, duke realizuar vizitën e tij të parë në Liban që kur Joseph Aoun u zgjodh president pas një vakumi presidencial dyvjeçar.

Avioni i Macronit zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar "Rafic Hariri" rreth orës 7:00 të mëngjesit me kohën lokale, ndërsa ai u përshëndet nga kryeministri në detyrë Najib Mikati dhe një sërë zyrtarësh, sipas mediave libaneze.

Vizita njëditore synon ofrimin e mbështetjes për presidentin Aoun dhe kryeministrin e nominuar Nawaf Salam. Sipas presidencës franceze, vizita e Macronit synon "ta forcojë sovranitetin e Libanit, ta sigurojë prosperitetin e tij dhe ta ruajë unitetin e tij".

Diskutimet e mëtejshme midis Macronit dhe udhëheqësve libanezë pritet të fokusohen në reformat politike, përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike dhe forcimin e mbështetjes ndërkombëtare për Libanin.

Aoun u zgjodh president më 9 janar pas më shumë se dy vitesh të presidencës vakante për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Zgjedhja e tij pason një fushatë shkatërruese ushtarake izraelite vjeshtën e kaluar, e cila e bëri Libanin të përballet me përkeqësimin e ndarjeve politike dhe vështirësive ekonomike.

TRT Balkan / agjencitë