Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, pritet të emërojë senatorin e Floridës, Marco Rubio, si Sekretar të Shtetit.
"New York Times", duke cituar tre persona të njohur me planet e tij, shkroi se Trump akoma mund të bëjë një ndryshim në minutën e fundit, por ai me duket ka vendosur për Rubion.
As ekipi i Rubios dhe as ai i Trumpit nuk e kanë konfirmuar raportin. Rubio, i zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 2010, është i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kubës, Iranit dhe Kinës.
Kohët e fundit, megjithatë, ai është lidhur më ngushtë me politikën e jashtme të Trumpit, duke u bërë jehonë thirrjeve të presidentit të zgjedhur për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, për të cilën ai tha se ka arritur në një "ngërç" dhe "duhet të arrihet në një përfundim".
Rubio, një mbështetës i vendosur i Izraelit, ka miratuar vazhdimisht qëndrime të ashpra.
Në fillim të këtij viti, ai akuzoi presidentin Joe Biden se është ndikuar nga "antisemitët" në Partinë Demokratike kur ai kritikoi veprimet e Izraelit në Gaza. Rubio gjithashtu i kërkoi administratës të revokojë vizat për studentët e huaj të përfshirë në protestat propalestineze, duke i etiketuar ata si "simpatizues të terrorizmit".
Në nëntor të vitit të kaluar, kur u përball me një grup aktivistësh në Kongres, Rubio kundërshtoi thirrjet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, duke e përshkruar grupin palestinez si "kafshë të egër" dhe duke thënë: "Unë dua që (Izraeli) të shkatërrojë çdo element të Hamasit të cilin mund ta kapin".
Rubio ka udhëhequr gjithashtu përpjekjet për të ndaluar TikTok-un, duke argumentuar se ai përhap "propagandë pro-Hamasit, antiizraelite" dhe përbën "kërcënim ekzistencial për kombin tonë".
Pas sulmit iranian me raketa në Izrael në tetor, ai inkurajoi një përgjigje të fortë izraelite, duke thënë se "ata që kërkojnë nga Izraeli të tregojë 'përmbajtje' duhet të kujtojnë se Izraeli ka aftësinë për të shkaktuar dëme kërcënuese për regjimin në Iran dhe tashmë ka treguar përmbajtje duke mos e bërë këtë".