Marrëveshja e Abrahamit e nënshkruar mes Izraelit dhe disa vendeve arabe pothuasje katër vite, e ndërmjetësuar nga ShBA-ja, përveç leverdisë ekonomike nuk ka pasur ndonjë impakt tjetër shoqëror. Aq më pak të përmirësimit të raporteve izraelito-palestineze.
Që nga zyrtarizimi i Marrëveshjeve të Abrahamit në shtator 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli kanë thelluar marrëdhëniet e tyre në një sërë fushash ekonomike, si dhe në mbrojtje. Muaj më vonë, kësaj marrëveshjeje do t’i bashkohej Maroko dhe Sudani, me shpresën që më shumë shtete arabe do t’i ndjeknin nga pas.
Marrëveshjet, të ndërmjetësuara nga kandidati për presidenti i ShBA-së, Donald Trump, u cilësuan si “Deklarata Historike”, pasi premtuan normalizim, paqe dhe diplomaci midis shteteve të Gjirit Arab dhe Izraelit.
Si pjesë e këtyre marrëveshjeve, si Emiratet e Bashkuara Arabe ashtu edhe Bahreini njohën zyrtarisht sovranitetin e Izraelit, duke hapur rrugën për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike.
Marrëveshja e Izraelit me EBA-në shënoi herën e parë që një shtet arab nënshkroi një pakt me Izraelin që nga viti 1979, kur Egjipti arriti një traktat paqeje me të, dhe nga viti 1994, kur Jordania nënshkroi traktatin e saj të paqes me Izraelin.
Marrëveshjet u përkufizuan si "Marrëveshjet e Abrahamit" për të për të nënkuptuar paqen midis tri besimeve kryesore abrahamike; Judaizmi, Krishterimi dhe Islami.
Ndonëse supozohej që marrëveshjet të cilat u pagëzuan me një emër të ndërlidhur me promovimin e dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor për të çuar përpara një kulturë paqeje midis tre feve abrahamike dhe mbarë njerëzimit, autoritetet e Gazës raportojnë se prej 7 tetorit të 2023 e deri më sot, Izraeli ka shkatërruar më shumë se 600 xhami dhe tre kisha.
Izraelitët dëmtuan pjesërisht më shumë se 200 xhami, përveç shkatërrimit të dhjetëra vendeve të trashëgimisë, duke bombarduar në vigjilje të Krishtlindjes, gjatë Ramazanit dhe festës së Bajramit.
Rritje e shkëmbimit tregtar mes Izraelit dhe vendeve të Marrëveshjes së Abrahamit
Falë Marrëveshjeve, Emiratet e Bashkuara Arabe u bënë partner i madh tregtar, duke investuar në industritë izraelite.
Palët u zotuan të angazhohen për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme përmes marrëveshjeve dypalëshe në fusha si financa, aviacioni, tregtia, kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi dhe më shumë.
Kushti kryesor ishte që shtetet arabe të pranonin sovranitetin izraelit si shtet.
Nga ky pakt përfituan edhe vendet e MENA-s. Si për shembull: ShBA-ja hoqi Sudanin nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit dhe i dha një hua prej 1,2 miliard dollarësh.
Ose më herët, Izraeli dhe Maroku nënshkruan një marrëveshje normalizimi, ku Maroku njohu shtetin izraelit në këmbim që ShBA-ja të njohë sovranitetin maroken mbi Saharën Perëndimore.
Përgjatë këtyre katër viteve, Marrëveshjet kanë vënë në pah që shumë nga pikat kryesore të nënshkrimit kanë dështuar hapurazi, megjithatë në biznes duket sikur ka funksionuar mjaft mirë, sipas statistikave të Institutit të Paqes i Marrëveshjeve të Abrahamit.
Një raport i publikuar së fundmi (qershor 2024) nga Instituti tregon se investimet dhe përfitimet ekonomike ndërmjet shteteve kanë pësuar rritje dramatike të shifrave tregtare të Izraelit me vendet e Marrëveshjes së Abrahamit, duke theksuar se lidhjet diplomatike dhe strategjike midis këtyre kombeve kanë mbetur të forta, me tregtinë që vazhdon të lulëzojë.
Çështja palestineze dhe lufta e Izraelit në Gaza
Një nga aspektet kryesore të Marrëveshjeve të Abrahamit ishte angazhimi për të punuar drejt një zgjidhjeje të drejtë, gjithëpërfshirëse, realiste dhe të qëndrueshme të “konfliktit” izraelito-palestinez. Megjithatë, kontradiktat e ktij pakti që supozohej të ofronte stabilitet dhe paqe në rajon fillojnë me çështjen israelito-palestineze, dështojnë me sulmet e ashpra dhe uzurpimin e tokave palestineze nga Izraeli.
Numri i palestinezëve të vdekur që nga 7 tetori i kaluar, ka arritur në mbi 40.500, raporton ministria e Shëndetësisë në Gaza, duke shtuar se rreth 93.647 të tjerë janë të plagosur.
Ky numer mendohet të jetë akoma më i madh për shkak se mendohet se shumë kufoma janë ende të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë, pasi nuk janë në gjendje t'i arrijnë ata.
Në agjendën strategjike të ShBA-së për Lindjen e Mesme thuhej se Izraeli do të ndalonte aneksimin e Bregut Perëndimor. Por, ushtria izraelite ka arrestuar rreth 10.000 palestinezë në këtë territor të pushtuar, me më shumë se 620 të vrarë dhe 5.400 të plagosur.
Mes kësaj, qeveria izraelite ka miratuar 5.300 shtëpi të reja në vendbanimet e Bregut Perëndimor, duke intensifikuar përpjekjet për të zgjeruar kontrollin dhe për të bllokuar formimin e një shteti palestinez.
Historikisht, çështja palestineze ka qenë një temë e ndjeshme për shtetet arabe, por heshtja e disa prej këtyre vendeve përballë pushtimit brutal izraelit ka qenë tejet e dukshme.
Kritikët thonë se mund të jetë një manovër strategjike për t'i mbajtur shtetet arabe duarlidhur, ndërkohë që Izraeli avancon në qëllimet e tij të hershme në Palestinë.
“Lindja e Mesme e Re” e Netanjahut pa Palestinën në hartë
Në shtator të vitit 2023, në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në New York, kreu i shtetit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tërhoqi vëmendjen me shfaqjen e një harte të re të Lindjes së Mesme ku vihet re se kufinjtë palestinez nuk paraqiten askund.
Gjatë fjalimit, Netanjahu shpjegoi krijimin e një korridori të ri që përfshin shtetet e Gjirit, Izraelin, Evropen dhe ShBA-në.
Gjithashtu, ai tha, “Kur palestinezët të shohin se shumica e botës arabe është pajtuar me shtetin hebre, edhe ata do të kenë më shumë gjasa të braktisin fantazinë e shkatërrimit të Izraelit dhe më në fund të përqafojnë një rrugë paqeje të vërtetë me të”.
Kryeministri izraelit i tha Asamblesë se marrëveshjet e Abrahamit "paralajmëruan agimin e një epoke të re paqeje, por unë besoj se ne jemi në majë të një përparimi edhe më dramatik, një paqeje historike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.”
Fjalimet e tij dhe harta pa shtetin palestinez vunë në pikëpyetje rolin e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe ofrimin e sigurisë dhe paqes në rajon, kjo pasi më vonë do të fillonte okupimi aktual Izraelit në Gaza.
Politikat e ShBA-së nëpërmjet Marrëveshjeve u vunë gjithashtu në pikëpyetje duke qenë se ShBA-ja u listua si furnizuesja më e madhe e armëve në Izrael që nga tetori i 2023.