Izraeli e ka shtyrë marrëveshjen me Palestinën me veprimet e tij, tha të premten ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov. Duke folur në një konferencë shtypi në Almaty - Kazakistan, Llavrov tha se Moska nuk mund të pranojë metodat që trupat izraelite po përdorin gjatë operacionit të tyre ushtarak. “Në realitet, shkatërrimi i civilëve po ndodh, e më e rëndësishmja, nëse distancohemi nga tragjedia e sotme humanitare, gjëja më e rëndësishme është se këto veprime (izraelite) vonojnë më tej perspektivën e paqes së qëndrueshme afatgjatë në Lindjen e Mesme përmes krijimit të një shteti palestinez në përputhje të plotë me vendimet e OKB-së”, vuri në dukje ai. Llavrov theksoi se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme në përgjithësi ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në territoret e afërta, por se militantët gjithashtu ikin nga rajoni në drejtim të zonave fqinje me Rusinë - Azinë Qendrore dhe Kaukaz. Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, miratoi katër deklarata në takimin e saj të 20-21 qershorit në Almaty, me njërën prej tyre për situatën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, me theks të veçantë për gjendjen e punëve në Gaza, tha ministri. “Ky është gjithashtu një drejtim që ne po e monitorojmë nga afër dhe po përpiqemi të kontribuojmë në qetësimin e situatës, duke e kanalizuar atë në një proces të kërkimit të zgjidhjeve politike - bazuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Asamblenë e Përgjithshme”, tha ai. Më shumë se 37.400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 85.600 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Më shumë se tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë në gërmadha në mes të një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i cili e urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.
21 Qer 2024
Ministri rus: Veprimet izraelite e kundërshtojnë marrëveshjen me Palestinën
Llavrov thotë se Moska nuk mund të pranojë metodat që trupat izraelite po përdorin në Gaza.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.