Shtetasti rus interesohen për blerjen e patundshmërive në lagjet e njohura të Beogradit.     Foto: Reuters Archive 

Mobilizimi që po bëhet në Rusi për shkak të luftës në Ukrainë është arsyeja për një rritje të ndjeshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në vendet ku rusët mund të udhëtojnë pa kufizime nga sanksionet.
Kjo vërehet në vendet fqinje si Gjeorgjia, Kazakistani dhe Armenia, por edhe në Serbi, ku kanë shkuar një numër i madh i rusëve që duhet të përfshihen në rekrutim. Ata largohen nga Rusia vetëm ose me familjet e tyre, siç konfirmohet nga të dhënat nga pothuajse të gjitha pikat kufitare. Ata që largohen nga vendi nuk kursejnë fonde për të blerë ose për të marrë me qira apartamente, të paktën sipas informacioneve të publikuara në medie.
Sa ofrojnë refugjatët rusë?
Nga 500 në 1.000 euro refugjatët rusë ofrojnë për të marrë me qira apartamente në Beograd, çmimi i tregut i të cilave do të ishte të paktën 20 deri në 30 për qind më i ulët. Nëse çmimet mesatare për marrjen me qira të apartamenteve prej 50 metrash katrorë në Beograd para pushtimit rus të Ukrainës ishin nga 300 në 400 euro, motorët e kërkimit në faqet e internetit më të njohura të pasurive të paluajtshme tani tregojnë çmime midis 450 dhe 500 euro. Në zonën qendrore ose afër qendrës së qytetit është e rrallë të gjesh një apartament të pajisur mirë për më pak se 450 euro.
Rusët marrin me qira apartamente për një periudhë më të gjatë. Apartamentet luksoze në lagjet elitare të Beogradit si Dorçol, Vraçar ose “Beograd na vodi” (“Beogradi në ujëra”) po shkaktojnë gjithashtu interes për blerje tek ata me xhepa më të thellë. Ata janë gati të paguajnë nga 100 mijë deri në 200 mijë euro për të blerë apartament.
Ky është një problem i madh për të gjithë qytetarët serbë që vijnë nga vendet e brendshme në kryeqytet për punë ose studime. Rusët po krijojnë rritje të çmimeve që ata nuk mund t’i ndjekin.
Përfaqësues të disa agjencive të patundshmërive kanë thënë për mediet serbe se kërkesa për apartamente në Beograd nga qytetarët rusë ka filluar në maj të këtij viti dhe ka arritur maksimumin në dy muajt e fundit.
Sa kushton një metër katror në një ndërtesë të re në Serbi?
Çmimi mesatar për metër katror në ndërtimet e reja në Serbi në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte 200.989 dinarë ose 1.713 euro. Ndërsa në kryeqytet, çmimi mesatar është 290.275 dinarë ose 2.474 euro. Rritja krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është 14.8 për qind.
Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave të Serbisë të publikuara rreth dy javë më parë ka të ngjarë të ndryshojnë ndjeshëm kur të përfshihen çmimet edhe për shtatorin kur u shpall mobilizimi.
Rusët prijnë për sa i përket numrit të fjetjeve
Numri i përgjithshëm i rusëve që ikën në Serbi nuk dihet saktësisht. Agjencitë botërore kanë të dhëna për rreth 50 mijë rusë që kanë udhëtuar në Serbi që nga fillimi i agresionit. Ata janë kryesisht nga sektori i IT-së. Dhe në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave të Serbisë, rusët janë në vendin e parë sipas numrit të fjetjeve në periudhën janar-qershor 2022.
Një situatë e ngjashme me pasuritë e paluajtshme në Gjeorgji
Situata në Gjeorgji nuk është shumë e ndryshme nga ajo në Serbi. Dhe atje refugjatët nga Rusia krijojnë kryesisht çmimet e tregut. Sipas medies “Georgia Today”, qiraja e pasurive të paluajtshme në Tbilisi është rritur me 20 për qind në një muaj dhe është 48 për qind më e lartë krahasuar me një vit më parë.
Faqja e internetit e pasurive të paluajtshme myhome.ge regjistroi 68.000 përdorues të tjerë nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia në javën e fundit të shkurtit dhe javën e parë të marsit. Çmimet e apartamenteve me qira në disa pjesë të Tbilisit madje janë dyfishuar dhe rusët madje japin 1.000 euro në muaj për të marrë me qira apartamente luksoze.
Rritje e kërkesës dhe çmimeve në Kazakistan dhe Armeni
Sutochno.ru është versioni rus i Airbnb-së. Çmimet e pasurive të paluajtshme në Rusi dhe vendet përreth lëshohen në rubla. Në shtator, kjo faqe interneti regjistroi 11 herë më shumë kërkesë për apartamente në Astana, kryeqyteti i Kazakistanit, tetë herë më shumë në Tbilisi dhe tri herë më shumë kërkesë në Jerevan, kryeqyteti i Armenisë. Çmimi mesatar i marrjes me qira të apartamenteve në Astana ishte 38 euro në ditë, kurse në Jerevan 65 euro në ditë.
Megjithatë, në Kazakistan, kërkesa më e lartë për apartamente dhe rritja më e lartë e çmimeve ndodhi në qytetet Uralsk, Aktobe, Kostanay, Petropavlovsk dhe Pavlodar. Më 27 shtator, Ministria e Mbrojtjes e Kazakistanit njoftoi se 98.000 rusë kishin hyrë në vend që nga 21 shtatori.

TRT Balkan