NATO-ja dhe Bashkimi Evropian dhanë mesazhin se duhet të rritet mbështetja me armë dhe municione për Ukrainën, ku situata në terren është e vështirë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri një deklaratë për mediat në Këshillin e Evropës, ku ai mbërriti për të shoqëruar pjesën e parë të takimit të Ministrave të Mbrojtjes së BE-së, në të cilën do të bisedohet mbi Ukrainën.
"Situata në fushën e betejës është e vështirë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme vazhdimin dhe rritjen e mbështetjes së dhënë për Ukrainën sepse nuk mund të lejojmë që të fitojë Vlladimir Putin" tha Stoltenberg.
Ai shtoi se luftërat nuk mund të parashikohen dhe askush nuk mund të thotë se si dhe kur do të përfundojë kjo luftë.
“Mund të themi se sa më shumë mbështetje ushtarake t‘i ofrojmë Ukrainës, aq më shumë rritet mundësia për të arritur një rezultat të pranueshëm të negociatave", tha Stoltenberg.
Borrell në kërkim të rrugëve të zgjidhjes
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nga ana tjetër tha se faza për sigurimin e municioneve nga rezervat e veta të vendeve anëtare të BE-së ka kaluar dhe se tani nevojitet rritja e kapacitetet të prodhimit në mënyrë që të vazhdojë ndihma për Ukrainën.
Vazhdojnë bisedimet mes vendeve anëtare dhe industrive për rritjen e kapacitetit prodhues, theksoi Borrell, i cili njoftoi se në takimin e sotëm do të diskutohet edhe ky proces, por do të diskutohet edhe se si të sigurohen më shpejt municione në Ukrainë.
"40 për qind e prodhimit tonë eksportohet në rreth 30 vende. Për këtë arsye, kjo nuk është çështje mungesës së kapacitetit prodhues. Ndoshta në vend të dërgimit në tregje të tjera, ne duhet ta kthejmë drejtimin tonë tek Ukraina, e cila është prioritet", u shpreh ai.