Inflacioni vjetor në Eurozonë pritet të ketë arritur 10% në shtator të këtij viti, duke shënuar një rritje tjetër krahasuar me muajin gusht kur ishte 9.1%. Të dhënat nga Zyra e Statistikës e Bashkimit Evropian Eurostat tregojnë se shpenzimet për energji kontribuojnë më së shumti në këtë rritje. Lufta në Ukrainë ka bërë që inflacioni në sektorin energjetik të shkojë në 40.8% në nivel vjetor dhe është në rritje çdo muaj. Më pas shtrenjtimet më të mëdha vijnë në sektorin e ushqimeve, të duhanit me 11.8% inflacion, prodhimet industriale me 5.6% dhe shërbimet me 4.3%.
Vendet Baltike në krye të listës së inflacionit
Inflacioni rekord ka prekur më së shumti Evropën lindore, sidomos vendet Baltike. Estonia prin me 24.2%, ndërsa menjëherë pas vijnë Lituania dhe Letonia me 22.5%, respektivisht 22.4%.
Holanda (17.1%), Sllovakia (13.6%), Spanja (12.1%) dhe Belgjika (12%) vijojnë listën e vendeve me më shumë inflacion.
Gjermania qëndron rreth mesatares së eurozonës me 10.9%, duke regjistruar inflacionin më të lartë që nga futja në përdorim të Euros.
Pagat nuk po e mbajnë hapin me shtrenjtimet
Rritja rekorde e shpenzimeve për jetë ka tërhequr domosdo edhe rritjen e pagave, por jo në nivelin e njejtë. Në tremujorin e dytë të vitit 2022, pagat në Eurozonë janë rritur për 4% krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Rritja më e lartë regjistrohet në sektorin e minierave dhe gurëroreve me 6.9% rritje pagash, pastaj në sektorin e shërbimeve administrative me rritje prej 6.6%, në sektorin e aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike ka rritje prej 6.3% si dhe në sektorin e hotelierisë me rritje prej 6%.
Rritje më e madhe e pagave regjistrohet në Hungari (14.9%) dhe Bullgari (14.6%). Vetëm edhe 4 vende të tjera anëtare të BE-së kanë rritje mbi 10%: Lituania (12.4%), Rumania (11.7%), Polonia (11.1%) dhe Estonia (10.1%). Më stagnante është Greqia me vetëm 0.8% rritje të pagave.
Ballkani Perëndimor me inflacion mbi mesataren e Eurozonës, Shqipëria më mirë
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht mbi mesataren e Eurozonës sa i përket nivelit të inflacionit.
Inflacioni ka prekur më së shumti Bosnjë e Hercegovinën, e cila shënon rritje të çmimeve për 16.8 për qind në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e vitit paraprak.
Pastaj vjen Mali i Zi, që ka shënuar rritje të inflacionit për 15 për qind në gusht të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Çmimet në Serbi janë rritur për 13.2 për qind në gusht të këtij viti, në raport me vitin paraprak.
Ngjashëm edhe Kosova. Në muajin gusht shënonte inflacion prej 13 për qind.
Maqedonia e Veriut me inflacion prej 11.6 për qind në muajin gusht është gjithashtu mbi mesataren e Eurozonës.
E vetmja Shqipëria qëndron më mirë madje edhe se mesatarja e Eurozonës. Duke iu referuar të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave për muajin gusht, Shqipëria regjistroi inflacion vjetor prej 8 për qind.
Në të gjitha këto vende, shtrenjtimet më të mëdha janë në sektorin e energjetikës dhe industrisë ushqimore.
Për krahasim, inflacioni në Eurozonë në muajin gusht shënonte 9.1për qind.