Norvegjia heton firmën në Bullgari të lidhur me shpërthimet e pejxherëve          / Foto: AA

Policia norvegjeze ka nisur një hetim paraprak ndaj një kompanie me bazë bullgare në pronësi të një shtetasi norvegjez në lidhje me shpërthimet e pejxherëve në Liban, të cilat vranë të paktën 37 persona dhe plagosën mbi 3.200 në dy valë të shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit, njoftuan mediat lokale të premten.

Distrikti i Policisë së Oslos njoftoi se ka nisur hetimet për lidhjen norvegjeze me incidentin që ndodhi në të gjithë Libanin të martën dhe të mërkurën.

“Mund të konfirmojmë se policia ka nisur hetimet paraprake për informacionin që ka dalë në dritë dhe po vlerëson vazhdimisht çdo masë të mundshme”, citohet të ketë thënë menaxheri i operacioneve Alexander Osterhaug nga transmetuesi kombëtar NRK.

Sipas raportit të medias, kompania me pronësi norvegjeze është e regjistruar në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.

Deri më tani, të dhënat e rastit orientojnë te Tajvani, Hungaria, Bullgaria dhe tani Norvegjia.

Në fillim të kësaj jave, një raport i lajmeve hungareze sugjeroi se Norta Global me bazë në Sofje ishte përfshirë në shitjen e pejxherëve grupit me bazë në Liban, Hezbollah.

Megjithatë, agjencia e kundërzbulimit bullgar, DANS, nuk ka gjetur asnjë lidhje midis vendit të tyre dhe shpërthimeve të fundit të pajisjeve të komunikimit në Liban dhe Siri, njoftuan mediat shtetërore të premten.

Si Hezbollahu ashtu edhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për shpërthimet e planifikuara mirë.

Deri më tani, Izraeli nuk ka komentuar sulmet vdekjeprurëse. Madje, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u distancua nga një postim në X të këshilltarit të tij Topaz Luk, i cili la të kuptohet se Tel Avivi ishte përgjegjës për shpërthimet.

Disa vende dënuan shpërthimet e pejxherëve dhe shprehën solidaritetin me Libanin, ndërsa organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë Human Rights Watch, paralajmëruan se sulme të tilla rrezikojnë jetën e civilëve dhe shkelin ligjet e kohës së luftës.

Shpërthimi masiv i pejxherëve erdhi në mes të një shkëmbimi të sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe Izraelit në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë mbi 41.300 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 95.000 të tjerë, që nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar.

Më herët të premten, ministri i jashtëm norvegjez Espen Barth Eide bëri thirrje për përmbajtje.

“Shpreh simpatinë time të përzemërt me civilët në Liban dhe në mbarë rajonin që tani jetojnë në frikë.

U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale”, shkroi ai në X

Të enjten në mbrëmje, Izraeli bombardoi objektiva të reja në Liban në sulmin më intensiv ndaj vendit që nga shpërthimi i luftës në Gaza.

“Ajo që po ndodh është një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Eide për NRK të premten.

“Tani udhëheqësit izraelitë thonë në mënyrë të qartë se duan ta çojnë luftën drejt Libanit. Më pas do të marrim përshkallëzimin që e kemi frikë prej kohësh”, theksoi ai.

TRT Balkan / agjencitë