Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) të martën siguroi publikun se rreziku i infeksionit njerëzor nga gripi i shpendëve H5N1 mbetet i ulët për popullatën e përgjithshme, pavarësisht 76 rasteve të raportuara globalisht në vitin 2024.
Megjithatë, ka një rrezik të shtuar për punëtorët e fermave dhe të tjerët që janë të ekspozuar ndaj kafshëve të infektuara, paralajmëroi Maria Van Kerkhove, drejtoresha në detyrë për menaxhimin e kërcënimeve epidemike dhe pandemike në OBSh, duke folur në një konferencë të OKB-së në Gjenevë.
Van Kerkhove tha se shumica e rasteve të këtij viti janë regjistruar tek punëtorët e fermave, me ShBA-në që ka raportuar 61 infeksione mes shpërthimeve tek kafshët e egra, shpendët dhe, më së fundmi, bagëtitë qumështore.
“Edhe pse vëmendja e madhe është përqendruar në situatën e gripit të shpendëve në ShBA, këtë vit raste janë raportuar gjithashtu në Australi, Kanada, Kinë, Kamboxhia dhe Vietnam,” theksoi ajo.
OBSh-ja vlerëson se rreziku i përgjithshëm për shëndetin publik mbetet i ulët, por për individët e ekspozuar profesionalisht, përfshirë punëtorët e fermave, rreziku konsiderohet "i ulët deri mesatar."
Ajo shtoi se niveli i rrezikut varet nga masat parandaluese në fuqi, si përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse (PPE), përfshirë maskat, dorezat, çizmet dhe mbrojtjen për sytë.