Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Margaret Harris, tha se virusi respirator Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) i përhapur në Kinë nuk përbën rrezik për një pandemi të re, duke bërë thirrje për trajtim simptomatik për ta luftuar këtë virus.
Harris për Anadolu vlerësoi numrin në rritje të rasteve me virusin HMPV në Kinë që nga dhjetori i vitit të kaluar si dhe panikun që shkaktoi ky rast në mbarë botën.
Sipas saj, HMPV-ja nuk është një virus i ri. "Ky është një nga viruset e zakonshme që shkakton ftohjen e zakonshme. Virusi u identifikua për herë të parë në Holandë në vitin 2001. Por besojmë se ka qenë në popullatën njerëzore për breza. Në fakt, shumica e njerëzve kanë zhvilluar antitrupa kundër tij deri në moshën 5-vjeçare. Sepse është një nga viruset që qarkullon sidomos në muajt e dimrit dhe shkakton ftohje", u shpreh ajo.
Ajo tregoi se Kina të gjitha infeksionet e ndryshme respirative që shihen në popullatë i mban nën mbikëqyrje të rreptë, duke theksuar se "Vetëm rreth 5 në 100 raste (respiratore) të zbuluara në Kinë janë virus HMPV dhe shumica e rasteve janë në fakt grip sezonal. Ne nuk shohim ndonjë problem të veçantë me këtë virus (përsa i përket shkaktimit të një pandemie të re)".
"Nuk ka asnjë rast urgjence në Kinë dhe as në spitalet atje. Megjithatë, çdo vend që përjeton dimër dhe është i ftohtë do të ketë më shumë raste të virusit të frymëmarrjes", shtoi Harris.
- "Është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet të përgatiten për viruset e frymëmarrjes dhe viruset e reja"
Duke kujtuar se raste të virusit HMPV janë zbuluar edhe në disa vende të tjera si në Kinë, Harris tha se kjo nuk shkakton ndonjë problem të madh për sistemin shëndetësor dhe se problemi më i madh për momentin është shtimi i rasteve të gripit sezonal.
Ajo pohoi se është e nevojshme që personat e pambrojtur duhet të vaksinohen, duke u bërë thirrje atyre që e kanë neglizhuar këtë të vaksinohen.
"Është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet të përgatiten për viruset e frymëmarrjes dhe viruset e reja. Është thelbësore që sistemi mbarëbotëror i mbikëqyrjes të mbetet vigjilent. Sepse mënyra më e mirë për të ndaluar çdo pandemi është zbulimi i rritjes në rastet sapo të ndodhë. Aktualisht nuk e shohim këtë në virusin HMPV", theksoi Harris.
Harris mes tjerash theksoi se HMPV-ja nuk shkakton ndonjë problem të madh shëndetësor dhe se shumica e njerëzve e kalojnë atë vetëm me rrjedhje hundësh dhe bllokim që zgjat disa ditë.
"Megjithatë, të moshuarit me sistem të dobët imunitar, ata me sëmundje kronike, sëmundje të zemrës, diabet, ata që i nënshtrohen trajtimit të kancerit ose fëmijët nën moshën 5 vjeç mund të sëmuren më rëndë. Prandaj, këto grupe duhet të mbrohen gjithmonë nga ekspozimi ndaj sëmundjeve të frymëmarrjes që mund t'i bëjnë ata më të sëmurë. Nëse jeni të ftohur, mos i ekspozoni fëmijët e vegjël ose të moshuarit ndaj infeksionit tuaj. Nëse njerëzit në rrezik e dinë që virusi po qarkullon, ata duhet ta mbrojnë veten duke vendosur maska në mjedise të mbushura me njerëz. Nëse ka një vaksinë të përshtatshme, duhet të vaksinohet", u shpreh zëdhënësja e OBSh-së, Harris.
Ajo gjithashtu tregoi se për virusin HMPV aktualisht nuk ka ndonjë vaksinë dhe se arsyeja pse një vaksinë nuk është zhvilluar është se virusi nuk ka shkaktuar sëmundje të rëndësishme në popullatën njerëzore në të kaluarën. "Gjithashtu, nuk ka trajtim specifik antiviral për këtë virus. Trajtimi është terapi e zakonshme simptomatike. Nëse keni dhimbje të fytit, pini lëngje të ngrohta, pushoni dhe shmangni ekspozimin e të tjerëve ndaj infeksionit tuaj. Qëndroni në shtëpi dhe pushoni", shtoi ajo.