OKB-ja kundër çdo pushtimi tokësor në Liban / Photo: AA

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shprehën të hënën shqetësimin për përkeqësimin e situatës në Liban pas përshkallëzimit të sulmeve izraelite, duke shtuar se kundërshtojnë synimin e pretenduar të Izraelit për të kryer një sulm tokësor në Liban.

Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha në një konferencë për shtyp se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres "mbetet thellësisht i shqetësuar për pasojat humanitare të ngjarjeve në Liban".

Ai vuri në dukje se Guterres po u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të depërshkallëzojnë tensionet.

Dujarric tha se Guterres dhe ekipi i tij janë në kontakt me njerëzit në terren dhe vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje diplomatike.

Ai shtoi se personeli i OKB-së përgjatë Linjës Blu po vazhdonte detyrat e tij, por konflikti i kishte kufizuar operacionet e tyre.

Linja blu shërben si kufiri që ndan Libanin nga Izraeli dhe lartësitë siriane të Golanit të pushtuara nga Izraeli.

Siç tha ai, civilët janë më të prekurit nga tensionet në rritje, duke vënë në dukje se "nesër, e martë, do të nisë një thirrje e re emergjente, e cila do të shërbejë për të mobilizuar burime shtesë për Libanin për të përmbushur nevojat në rritje të rreth një milion njerëzve të prekur nga kriza në rritje”, përfshirë eksodin masiv nga Libani jugor.

Kur u pyet nëse OKB-ja do t'i bënte thirrje Izraelit të përmbahej nga një ofensivë tokësore, Dujarric tha se ata nuk donin një pushtim tokësor. "Sekretari i Përgjithshëm tashmë është deklaruar kundër ofensivës tokësore dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ne nuk duam të shohim asnjë lloj pushtimi tokësor", tha Dujarric.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë në luftë përtej kufirit që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, e cila vrau rreth 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar. Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në Liban që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 2.770 të tjerë.

Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzohen në një luftë më të gjerë rajonale.

TRT Balkan / agjencitë