OKB-ja ka njoftuar se në dy javët e fundit më shumë se 810 mijë palestinezë u detyruan të migrojnë nga Rafahu, që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, pasi është objektivi i ushtrisë izraelite.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në një deklaratë të dhënë në platformën e mediave sociale X dha informata rreth palestinezëve që u detyruan të largohen për shkak sulmeve izraelite.
"Sa herë që familjet zhvendosen, jetët janë në rrezik serioz. Njerëzit janë të detyruar të lënë gjithçka pas në kërkim të sigurisë", thuhet në deklaratë, duke shtuar se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza.
Në një thirrje për armëpushim UNRWA raporton se "Më shumë se 810 mijë palestinezë u detyruan të migronin nga Rafahu drejt pjesëve të tjera të Gazës në dy javët e fundit".
Në deklaratën e saj më 6 maj, ushtria izraelite paralajmëroi se disa lagje në lindje të Rafahut, ku u strehuan palestinezët e zhvendosur me forcë, duhet të evakuohen.
Pas kësaj, më 7 maj, ushtria izraelite nisi sulm tokësor në rajonin Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka pushtuar pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.
Ndërkohë, më 10 maj kabineti izraelit i sigurisë miratoi vendimin për "zgjerimin e zonës" të sulmeve tokësore në Rafah.