Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shprehu keqardhjen e thellë për urdhrin e fundit ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), duke bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të vendimit.
“Ne mbështesim plotësisht punën e pavarur të Gjykatës – në të gjitha rastet brenda juridiksionit të saj”, tha zëdhënësja Ravina Shamdasani.
Ajo theksoi se Gjykata është “një institucion kyç i drejtësisë ndërkombëtare penale dhe thelbësor për sigurimin e drejtësisë dhe llogaridhënies për krimet më të rënda”.
“Na vjen keq shumë për sanksionet individuale të vendosura dje kundër stafit të Gjykatës dhe bëjmë thirrje për heqjen e tyre”, shtoi Shamdasani.
Ajo theksoi se Gjykata duhet të jetë plotësisht e aftë për të kryer punën e saj të pavarur, veçanërisht në rastet kur një shtet nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të kryejë një hetim ose ndjekje penale, siç parashikohet në Statutin e Romës.
“Gjykata është pjesë e pazëvendësueshme e infrastrukturës së të drejtave të njeriut. Sundimi i ligjit mbetet thelbësor për paqen dhe sigurinë tonë. Kërkimi i llogaridhënies në nivel global e bën botën më të sigurt për të gjithë”, theksoi Shamdasani.
Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten për vendosjen e sanksioneve ndaj GjNP-së, duke e akuzuar atë për "veprime të paligjshme dhe të pabaza të drejtuara kundër Amerikës dhe aleatit të saj të ngushtë Izraelit".
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant përballen me urdhër-arrest të lëshuar nga gjykata e Hagës në nëntor të vitit të kaluar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.