Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se vendi i tij do të përcaktojë nëse Ukraina mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen, duke hedhur dyshime mbi aspiratat evropiane të Kievit.
Duke folur në adresimin e tij vjetor të “Gjendjes së kombit” në Budapest, Orban e përshkroi Ukrainën si një “zonë tampon” midis Rusisë dhe NATO-s, si dhe sugjeroi se ajo do të mbetet në atë rol edhe pas përfundimit të luftës së saj 3-vjeçare me Rusinë.
Orban theksoi se Hungaria nuk do të mbështesë kurrë pranimin e Ukrainës në BE nëse dëmton fermerët dhe bizneset hungareze.
“Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO dhe nëse do të anëtarësohet në BE varet nga ne”, tha Orban, duke theksuar se lufta në Ukrainë po i afrohet fundit, por sfida e vërtetë qëndrojë në atë që vijon më pas.
Blloku evropian 27-anëtarësh filloi negociatat e anëtarësimit me Ukrainën në qershor të vitit 2024. Për t’u anëtarësuar Ukraina në BE nevojitet një miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare.
Lideri nacionalist Orban, i konsideruar si aleat më i afërt i Kremlinit në bllokun evropian, më parë ka kërcënuar se do t’u vendosë veto sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, megjithatë në fund i ka mbështetur ato.
Kryeministri hungarez gjithashtu vuri në dyshim shtetësinë e Ukrainës, duke pretenduar se lufta “nuk është për Ukrainën, por për territorin e quajtur Ukrainë” që vihet nën kontrollin e NATO-s.
“Ukraina ose ajo që ka mbetur prej saj, do të bëhet sërish një zonë tampon”, tha ai, duke pasqyruar komentet e fundit nga anëtarët e administratës amerikane që sugjerojnë se Ukraina duhet të braktisë ambiciet e saj në NATO.