Organizata "Mjekët pa Kufij" pezullon operacionet në kryeqytetin e Haitit /          Foto: AA

Organizata bamirëse ‘Mjekët pa Kufij’ (MSF) ka njoftuar se ka pezulluar operacionet e saj në kryeqytetin Port-au-Prince të Haitit, për shkak të përshkallëzimit të incidenteve të dhunës policore dhe kërcënimeve kundër stafit të saj.

MSF-ja theksoi ashpërsinë e situatës, duke u shprehur se një “seri kërcënimesh” nga forcat e policisë kundër stafit të MSF-së i kanë detyruar të pezullojnë aktivitetet në zonën metropolitane të Port-au-Prince deri në një “njoftim të mëtejshëm”.

Sipas organizatës bamirëse mjekësore, forcat e sigurisë vazhdimisht ndalonin automjetet e MSF-së dhe kërcënuan anëtarët e stafit. Si rezultat, të gjitha operacionet në kryeqytet janë ndërprerë deri në një njoftim të dytë.

Përfaqësuesi i MSF-së në Haiti, Christophe Garnier, theksoi rëndësinë e vendimit, sipas të cilit organizata nuk mund të vazhdojë të operojë në një mjedis ku stafi i MSF-së rrezikohet të sulmohet.

"Çdo ditë që ne nuk mund të rifillojmë aktivitetet tona, është një tragjedi pasi ne jemi një nga ofruesit e paktë të një game të gjerë shërbimesh mjekësore që kanë mbetur të hapura gjatë këtij viti jashtëzakonisht të vështirë”, tha Garnier.

Haiti, vendi në Karaibe me një popullsi prej mbi 11 milionë banorësh, po përballet me disa sfida të rënda, duke përfshirë paqëndrueshmëri politike, trazira ekonomike dhe një krizë të sigurisë në përkeqësim.

Bandat e armatosura aktualisht kontrollojnë rreth 80 për qind të kryeqytetit Port-au-Prince, duke intensifikuar dhunën e përditshme.

Sipas Zyrës së integruar të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Haiti, bandat e armatosura kanë marrë jetën e të paktën 3.900 njerëzve që nga fillimi i këtij viti.

Rritja e dhunës gjithashtu ka çuar në ndryshime domethënëse politike. Ish-kryeministri Ariel Henry dha dorëheqjen e tij në muajin prill, duke nxitur krijimin e një Këshilli Kalimtar.

Garry Conille u emërua si kryeministër më 28 maj, por u zëvendësua më 11 nëntor nga biznesmeni Alix Didier Fils-Aimé pas një vendimi nga Këshilli Kalimtar.

AA