Me ftesë të homologes zvicerane Viola Amherd, presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Zvicër ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën.
Në Samit, i cili mbahet më 15-16 qershor në Bürgenstock afër Lucernit, Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidentes së Zvicrës, Viola Amherd, si dhe afër 100 liderëve e përfaqësuesve të tjerë nga bota.
Samiti i nivelit të lartë, i cili do t'i mbledhë liderët botërorë për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.
Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botërorë.