Gjeneralët e palëve ndërluftuese në Sudan kanë rënë dakord për një armëpushim treditor për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës në vendin e Afrikës Lindore, njoftoi të hënën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Blinken tha se "negociatat intensive" çuan në marrëveshjen midis Forcave të Armatosura të Sudanit (SAF), të udhëhequra nga gjenerali Abdel-Fattah Burhan, dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të gjeneralit Mohammed Hamdan Dagal, i njohur ndryshe si Hemedti.
"Gjatë kësaj periudhe, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje SAF-it dhe RSF-së që menjëherë t'i përmbahen dhe të respektojnë armëpushimin", tha Blinken.
"Për të mbështetur dhënien fund luftimeve, Shtetet e Bashkuara do të koordinohen me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe aktorët civilë sudanezë, për të ndihmuar në formimin e një komiteti për mbikëqyrjen e negociatave, përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjes së përhershme, ndërprerjen e armiqësive dhe aranzhimeve humanitare në Sudan".
ShBA-ka mbyllur ambasadën e saj në Khartum gjatë fundjavës dhe evakuoi stafin e saj nga vendi ndërsa dhuna vazhdonte. Washingtoni aktualisht po shqyrton opsionet për të vazhduar aktivitetet e saj diplomatike në vend, potencialisht me një prani të re me bazë në qytetin port të Sudanit në Detin e Kuq, tha më herët të hënën Departamenti i Shtetit.
Të paktën 413 persona janë vrarë dhe 3.551 janë plagosur që nga 15 prilli, kur shpërthyen përleshjet në kryeqytetin Khartum dhe qytete të tjera midis Forcave të Armatosura të Sudanit dhe RSF-së, të cilën ushtria e ka shpallur grup rebel.
Sudani ka qenë pa qeveri funksionale që nga tetori 2021, kur ushtria rrëzoi qeverinë e përkohshme të kryeministrit Abdullah Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, të cilën forcat politike e quajtën "grusht shteti".