Pas një dekade rënie, regjistrohet rritje e viktimave në trafik në BE / Foto: Reuters (ilustrim)

Në vitin 2021, numri i personave që humbën jetën në aksidente trafiku rrugor në BE u rrit me 6% krahasuar me vitin 2020. Gjithsej 19.917 persona humbën jetën në aksidente, krahasuar me 18.834 viktima në vitin paraprak.

Rritja në vitin 2021 ndërpreu trendin e rënies së qëndrueshme të aksidenteve fatale gjatë dekadës së fundit. Por, kjo i atribuohet edhe faktit se në vitin 2020, që merret si vit reference, numri i aksidenteve dhe viktimave ishte më i vogël për shkak të kufizimeve të Covid-19, që prekën transportin e pasagjerëve.

Rumania dhe Bullgaria vendet me më shumë viktima në trafik

Në Bashkimin Evropian si tërësi, gjatë 2021-shit kishte mesatarisht 45 vdekje në trafikun rrugor për një milion banorë.

Duke marrë parasysh popullsinë e çdo vendi të BE-së, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2021 u vërejt në Maltë (17 viktima të trafikut rrugor për milion banorë), Suedi (20) dhe Danimarkë (22).

Ndërsa numri më i madh i viktimave u regjistrua në Rumani (93 viktima të trafikut rrugor për milion banorë), e ndjekur nga Bullgaria (81) dhe Letonia (78).

Shumica e viktimave shoferë ose pasagjerë në vetura

Drejtuesit dhe pasagjerët e veturave përfaqësonin pjesën më të madhe të viktimave në aksidente trafiku rrugor në BE në vitin 2021, me 44,6 % të të gjitha viktimave në trafikun rrugor.

Këmbësorët (18,1 %) ishin kategoria e dytë më e madhe, përpara motoçiklistëve dhe pasagjerëve të tyre (16,6 %).

Çiklistët dhe ngasësit e biçikletave elektronike së bashku përbënin 9,5 % të vdekjeve në rrugë në BE në vitin 2021.

Grupmosha 25-49 vjeç ishte më e prekur, duke përbërë 1/3 të numrit të viktimave.

Rrugët rurale dëshmohen si më të rrezikshme sipas statistikave, pasi 52,5% e viktimave kanë humbur jetën në aksidente në rrugë rurale. Në rrugët urbane humbën jetën 38,7% e viktimave, ndërsa në autostrada 8,8%.

TRT Balkan