Të paktën 240 mijë persona prej të cilëve më shumë se 176 mijë shtetas sirianë kanë kaluar në Sirinë fqinje nga Libani pas sulmeve të Izraelit, njoftoi Njësia e Menaxhimit të Rrezikut të Fatkeqësive në Liban.
Midis datave 23-30 shtator 239.453 persona kaluan nga kufiri i Libanit në Siri, njoftoi autoritet libaneze duke shtuar se prej tyre 176.080 janë sirianë dhe 63.373 libanezë.
Të paktën 1 milion njerëz janë zhvendosur që nga 8 tetori 2023 për shkak të sulmeve izraelite, ndërsa 155.600 prej tyre janë vendosur në qendra strehimi. Libani ka hapur 875 qendra për strehimin e personave të zhvendosur, ndërsa prej tyre 625 kanë arritur në kapacitetin maksimum.
Në njoftim thuhet se qeveria libaneze nisi një "thirrje ndihme humanitare" për të mbledhur donacione së bashku me organizatat e lidhura me Kombet e Bashkuara (OKB), duke njoftuar se 425 milionë dollarë nevojiten për të plotësuar nevojat e njerëzve të zhvendosur në vend.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.275 persona dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.