Për të mbështetur numrin në rënie të ushtarëve të Ukrainës, Polonia po shqyrton deportimin e refugjatëve ukrainas nga vendi.
Në një deklaratë të martën, Ministria e Jashtme e Polonisë tha se nuk do të përjashtojë deportimin e ukrainasve që jetojnë në vend.
"Për sa u përket çështjeve që lidhen me rekrutimin ushtarak të ukrainasve që qëndrojnë jashtë vendit, përfshirë në territorin polak, ne jemi të vetëdijshëm për situatën aktuale dhe problemin që paraqet për palën ukrainase", raportoi portali online "Onet" duke cituar deklaratën.
Sipas Komisionit Evropian, në Poloni janë strehuar 958 mijë qytetarë ukrainas.
Për të luftuar pushtimin e vazhdueshëm rus, ushtria ukrainase ka propozuar mobilizimin e 500 mijë personave të tjerë.
Shefi i mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, shkaktoi një furtunë pasi propozoi sanksione ndaj emigrantëve që nuk i përgjigjen kërkesës për rekrutim.
Në një intervistë me "Die Welt", ai tha se burrat e moshës 25 deri në 60-vjeç që jetojnë në Gjermani dhe vende të tjera "do të ftohen" në qendrat e rekrutimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Ukrainës, kurse autoritetet e vendit po shqyrtojnë sanksione kundër njerëzve që nuk i përgjigjen ftesës.
Ky propozim u kthye më vonë në një deklaratë të ministrisë.
Në qershor, komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson, tha se "ukrainasit e mbrojtur" nuk ishin në rrezik të dëbimit të detyruar.
Në shkurt 2022, Rusia nisi sulmet ndaj Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, e cila çoi në mbështetjen e vendeve perëndimore të Ukrainës me armë dhe fonde.