Presidenti Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi dorëheqjen e tij pas presionit në rritje nga grupet opozitare populiste, dy muaj pasi një gjykatë e lartë anuloi zgjedhjet presidenciale në vendin anëtar të Bashkimit Evropian (BE).
"Për ta shpëtuar Rumaninë nga kjo krizë, unë po jap dorëheqjen si president i Rumanisë", tha ai në një fjalim të hënën, duke shtuar se do të largohet nga detyra më 12 shkurt.
Iohannis, 65 vjeç, është president i vendit që nga viti 2014 dhe shërbeu dy mandate pesëvjeçare.
Por, presidenca e tij u zgjat në dhjetor 2024 pasi Gjykata Kushtetuese anuloi garën presidenciale, dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit.
Kjo erdhi pasi populisti i ekstremit të djathtë Calin Georgescu fitoi papritur raundin e parë, pas të cilit dolën akuza për ndërhyrje ruse dhe shkelje elektorale.