Presidenti palestinez bën thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës / Photo: AA

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas bëri thirrje të enjten për një përfundim të menjëhershëm të sulmit të vazhdueshëm të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga enklava.

Arritja e drejtësisë për popullin palestinez "është testi më i rëndësishëm në këtë moment historik", tha Abbas në fjalimin e tij në samitin e BRICS-it në qytetin rus të Kazanit.

"Është koha për të ndaluar padrejtësinë dhe për t'i dhënë fund praktikave të forcës ushtarake dhe zgjatjes së okupimit," tha ai, duke bërë thirrje për sanksione ndaj Izraelit për refuzimin e tij për t'iu përmbajtur rezolutave të OKB-së.

Abbas bëri thirrje gjithashtu për mbajtjen e një konference ndërkombëtare paqeje të mbikëqyrur nga OKB-ja dhe palët e interesuara për të zgjidhur konfliktin palestinezo-izraelit.

“Ne mbështetemi te vendet e BRICS-it, të cilat janë bërë një forcë ndikuese dhe vendimtare, në vendosjen e themeleve të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 42.800 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 100.500 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur luftën.

Sulmi izraelit në Gaza ka zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

AA