Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i ka bërë thirrje grupit të rezistencës palestineze Hamas që të arrijë marrëveshjeje shkëmbimi për pengjet me Izraelin për të shmangur zhvendosjen e palestinezëve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
"Arritja e një marrëveshjeje shkëmbimi është urgjencë për të shmangur një sulm izraelit në Rafah, i cili do të çonte në mijëra vdekje dhe zhvendosje të njerëzve tanë", tha Abbas.
Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve Wafa, presidenti palestinez u bëri thirrje ShBA-së dhe vendeve arabe që "të punojnë seriozisht drejt përfundimit të marrëveshjes sa më parë".
"Është koha që secili të mbajë përgjegjësinë e tij", tha Abbas.
Dje, zyrtarë nga Izraeli, Egjipti, Katari dhe ShBA-ja mbajtën takim në Kajro për të diskutuar një armëpushim në Gaza dhe një shkëmbim pengjesh midis Hamasit dhe Izraelit.
"Qëndrimi i Hamasit nuk ka ndryshuar dhe ai ende këmbëngul për t'i dhënë fund luftës, gjë që Izraeli nuk e ka pranuar", tha transmetuesi publik izraelit KAN, duke cituar një zyrtar izraelit të paidentifikuar.
Javën e kaluar, sipas një burimi palestinez, Hamasi propozoi një plan me tre faza për një armëpushim në Gaza që përfshin një pauzë 135-ditore në luftime në këmbim të lirimit të pengjeve.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë ofertën e Hamasit për armëpushim dhe u zotua se do të vazhdojë luftën në Gaza deri në një "fitore të plotë" mbi grupin palestinez.
Izraeli beson se 134 izraelitë po mbahen në Gaza pasi të hënën ushtria izraelite arriti të lirojë dy pengje në qytetin Rafah në Rripin e Gazës jugore.
Ushtria izraelite planifikon të nisë sulm tokësor në Rafah, ku ndodhen mbi 1,4 milionë banorë që kërkojnë strehim nga lufta, me qëllim për të mposhtur ato që Tel Avivi i quan "batalione të mbetura të Hamasit".
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.567 palestinezë dhe duke plagosur rreth 68.300 të tjerë, ndërkohë nga pala izraelite, Tel Avivi thotë se rreth 1.200 njerëz janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.