Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi bashkëngjitjen e katër rajoneve ukrainase me Rusinë.
Duke folur në një ceremoni në Kremlin, Putin tha se referendumi u mbajt dhe populli i këtyre rajoneve zgjodhi këtë rrugë.
Ai theksoi se nuk ka mëdyshje se Parlamenti i Rusisë do të mbështesë bashkëngjitjen e këtyre katër rajoneve të reja në përbërjen e Federatës Ruse.
“Donetsku, Khersoni, Luhansku dhe Zaporizhzhia shfrytëzuan të drejtën e tyre për vetëvendosje, të cilën e garantojnë Kombet e Bashkuara", ka thënë Putin dhe shtoi se do ta mbrojmë vendin me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Kievit që të përfundojë menjëherë armiqësitë dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve.
"Dua t'i them këtë regjimit të Kievit dhe zotërinjve të tij në Perëndim: njerëzit që jetojnë në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia (rajonet) po bëhen qytetarët tanë përgjithmonë", tha Putin.
Nga 23 deri më 27 shtator, rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk dhe pjesët e kontrolluara nga Rusia të Zaporizhzhias dhe Khersoni mbajtën referendume për bashkimin me Rusinë.
Ministria e Jashtme ruse njoftoi të mërkurën se më shumë se 98 për qind e banorëve që jetojnë në rajonet e Ukrainës mbështesin bashkimin me Rusinë.
Referendumi u dënua nga komuniteti ndërkombëtar, nga vendet evropiane, ndërsa SHBA-ja i quajti "të rreme" dhe "të paligjshme".
BE: Kurrë nuk do ta njohim aneksimin
Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian në një deklaratë të përbashkët thanë se aneksimi i rajoneve lindore të Ukrainës nga Rusia është i paligjshëm dhe se nuk do ta njohin kurrë aneksimin.
Këshilli Evropian, i përbërë nga liderët e vendeve të BE-së, lëshoi një deklaratë menjëherë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënshkroi marrëveshjet për bashkëngjitjen e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia në Ukrainë me Rusinë.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së theksuan se ata kundërshtojnë dhe dënojnë fuqishëm aneksimin e paligjshëm të rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporozhzhia nga Rusia.
Në deklaratën e Këshillit thuhet se Rusia rrezikoi sigurinë globale duke dëmtuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe duke shkelur Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.
"Ne nuk i njohim dhe nuk do t'i njohim kurrë rezultatet e rreme dhe të paligjshme të referendumeve të paligjshme, të cilat Rusia i bëri si pretekst për shkelje të mëtejshme të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne kurrë nuk do ta njohim këtë aneksim të paligjshëm. Këto vendime janë të pavlefshme. Krimea, Khersoni, Zaporizhzhia, Donetsku dhe Luhansku i përkasin Ukrainës. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që ta refuzojnë kategorikisht këtë aneksim të paligjshëm", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë ku përsëritet mbështetja për integritetin territorial të Ukrainës, thuhet se Ukraina përdor të drejtat e saj legjitime kundër agresionit të Rusisë për të mbrojtur veten dhe për të rimarrë tokat e saj dhe se do të vazhdojnë të gjitha llojet e mbështetjes për Ukrainën.
"Ne do të forcojmë masat tona kufizuese kundër veprimeve të paligjshme të Rusisë. Këto do të rrisin presionin që Rusia të ndalojë luftën e saj", thuhet në deklaratë.
Presidenti i Rusisë, Putin sot nënshkroi marrëveshjet për bashkëngjitjen e rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia me Rusinë.
30 Sht 2022
Putin: Do ta mbrojmë vendin me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet
Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian në një deklaratë të përbashkët thanë se aneksimi i rajoneve lindore të Ukrainës nga Rusia është i paligjshëm dhe se nuk do ta njohin kurrë aneksimin.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
I zgjedhuri i Trumpit për shef të drejtësisë tërhiqet nga nominimi
Gaetz ishte në Kongresin Amerikan të mërkurën për t’u ulur me senatorët që ishin kyç për konfirmimin e tij për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë por pranoi se emërimi i tij është bërë një “shpërqendrim” për ekipin e tranzicionit të Trumpit.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore