Presidenti Rus, Vlladimir Putin, tha se avionët luftarakë F-16 që do t'i jepen Ukrainës do të jenë objektiva legjitime kudo që të jenë nëse përdorin aeroportet e vendeve të treta kundër Rusisë.
Putin në një bisedë me pilotët ushtarakë gjatë vizitës së tij në qendrën e trajnimit të aviacionit ushtarak të Ministrisë ruse të Mbrojtjes në rajonin Tver u shpreh se njësia e aviacionit e ushtrisë ruse punoi në mënyrë të përsosur në konfliktin në Ukrainë dhe kontribuoi në rezultat.
Teksa tregoi eksperiencën e tij me avionët luftarakë, Putin tha se puna e pilotëve të avionëve luftarakë është e vështirë. Më tej, Putin theksoi se bombarduesit rusë Su-34, avionët luftarakë të modelit të ri Su-30 dhe Su-57 realizuan një punë shumë të mirë në zonën e konfliktit.
"Ne do të shkatërrojmë avionët F-16 njëjtë si armët e tjera.”
Përgjatë vlerësimeve për planin që kanë vendet perëndimore për t'i dhënë Ukrainës avionë luftarakë F-16 dhe trajnimin e pilotëve ukrainas, Putin tha: "Kjo nuk do të ndryshojë asgjë në zonën e konfliktit. Ne do të shkatërrojmë avionët (modeli F-16) ashtu siç shkatërrojmë tanket, automjetet e blinduara dhe pajisjet e tjera ushtarake, përfshirë sisteme të shumta lëshimi".
Ndërkaq, Presidenti rus vuri në dukje se avionët luftarakë F-16 kanë aftësinë për të mbajtur armë bërthamore dhe se do ta kenë parasysh këtë kur të luftojnë këta avionë. "Sigurisht, nëse këta avionë përdoren nga aeroportet e vendeve të treta, ata do të bëhen objektiv legjitim për ne kudo që ata ndodhen", deklaroi Putin.
"Më shqetësojnë deklaratat se Rusia u përket vetëm rusëve"
Putin shprehu shqetësimin e tij për deklaratat e disa shovinistëve se "Rusia u përket vetëm rusëve". Putin tha se njerëz të tillë ka kudo dhe në çdo shoqëri. Sipas tij duhet pasur kujdes përpara se të thuhet një gjë e tillë. "Unë shqetësohem kur thonë se Rusia është vetëm për rusët. Nëse kemi parasysh se në territorin e vendit jetojnë 190 grupe etnike dhe disa kombësi përfaqësohen nga miliona njerëz. Që nga momenti kur fillojmë të zbatojmë këto ide shkatërruese se të gjithë këtu janë të huaj, do të shkatërrojmë vendin dhe viktima e vërtetë do të jetë populli rus", tha Putin.
"Ne duhet të respektojmë anëtarët e feve të tjera"
Presidenti rus Putin vijoi se nuk duhet harruar kurrë se Rusia është vend shumëkombësh dhe multifetar. Ai nënvizoi nevojën për të qenë të kujdesshëm në këtë drejtim. "Ne duhet t'i trajtojmë gjithmonë me respekt vëllezërit dhe motrat tona të feve të tjera, domethënë myslimanët, hebrenjtë dhe të tjerët, dhe ne tashmë jemi duke e bërë këtë", tha ai.