Putin: Lufta do të jetë ndryshe nëse Perëndimi përcaktohet për konflikt / Foto: Reuters Arkiv / Photo: Reuters Archive

Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi të dielën se nëse vendet perëndimore si ShBA-ja duan të hyjnë në luftë me Rusinë, do të ishte "krejt ndryshe" nga konflikti aktual, operacioni special ushtarak në Ukrainë.

Putin foli për luftën Rusi-Ukrainë dhe marrëdhëniet Rusi-Kinë në një intervistë për transmetuesin shtetëror rus "Rossiya".

Lidhur me kundërsulmin e Ukrainës, Putin tha se "ka dështuar plotësisht".

"E dimë se në disa zona konflikti pala tjetër ende është duke përgatitur sulme aktive. E shohim këtë dhe përgjigjemi në përputhje me rrethanat", tha ai.

Ai tha se ajo që po ndodh përgjatë vijës së kontaktit quhet "mbrojtje aktive" dhe tha se njësitë ushtarake ruse po forcojnë pozicionet e tyre në gjithë këtë zonë. Putin theksoi se kjo vlen edhe për Kupyansk, Zaporizhzhia dhe Avdiivka, pasi kjo zonë është mjaft e gjerë.

Putin gjithashtu komentoi pretendimet se Rusia dhe Kina po formojnë një bllok të ri ushtarak, duke vënë në dukje se Perëndimi vazhdimisht krijon aleanca.

"Ne e kemi thënë këtë shumë herë. Nuk bashkohemi brenda aleancave të tilla ushtarake dhe politike. Amerikanët e bëjnë këtë. Për më tepër, ata i detyrojnë aleatët e tyre të përkeqësojnë marrëdhëniet e tyre me Rusinë dhe Kinën", tha ai.

Putin theksoi se Kina nuk është duke u angazhuar në një betejë me Perëndimin ndërsa ShBA-ja e tërhoqi Evropën duke zgjedhur këtë rrugë. Ai tha se Evropa nuk dëshiron të ngatërrohet me Pekinin pasi vëllimi i tregtisë së tyre me Kinën vazhdon të rritet.

Ai theksoi se nuk janë ata, por vendet perëndimore që po formojnë vazhdimisht blloqe ushtarake dhe politike si AUKUS. Putin komentoi propozimin e Kongresit Amerikan për t'u përgatitur për luftëra të njëkohshme me Rusinë dhe Kinën, përfshirë shqyrtimin e opsionit të një konflikti bërthamor.

"Unë nuk mendoj se këto janë mendime të shëndosha që u kanë ardhur në mendje njerëzve të shëndoshë, sepse të thuash se ShBA-ja po përgatitet për luftë me Rusinë, mirë… Ne të gjithë po përgatitemi për luftë sepse ndjekim parimin e njohur të lashtë: Nëse dëshironi paqe, përgatituni për luftë", tha presidenti rus.

"Ne veprojmë me supozimin se duam paqe. Shikoni Lindjen e Mesme. A ju duket si një operacion special ushtarak? Si mund ta krahasoni?", tha ai.

Putin e përshkroi mundësinë e luftës si me Rusinë ashtu edhe me Kinën si "të pakuptimtë" dhe tha se beson se asnjë nga këto nuk është serioze, por është ngritur si temë për të trembur dikë.

AA