Putin: Rusia nuk e konsideron veten armike të Perëndimit / Foto: AA

Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin deklaroi se aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vendosur ta luftojnë Rusinë deri në ukrainasin e fundit.

Në takimin e Këshillit të Sigurisë të cilin e mbajti nëpërmjet video-konferencës, Putin foli për humbjen e trupave dhe pajisjeve të Ukrainës.

Ai tha se vendet mund t'i ofrojnë pajisje Ukrainës, por forca e trupave është e kufizuar.

"Duket se aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vendosur ta luftojnë Rusinë deri në ukrainasin e fundit", tha presidenti rus.

"Po formojmë një ushtri rezervë"

Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu tha se ushtria ukrainase ka pësuar humbje të konsiderueshme pas luftimeve aktive në 16 ditët e fundit.

"Armiku ka reduktuar aktivitetin e tij. Aktualisht është i interesuar të rigrupojë trupat e tij", tha Shoigu.

Sipas tij, ushtria ukrainase ka fuqinë për të vazhduar kundërsulmin pavarësisht humbjeve të konsiderueshme në disa drejtime. Shoigu tha se po vazhdojnë përgatitjet kundër ofensivës së re të Ukrainës.

"Ne po formojmë ushtri rezervë. Gjithçka po shkon sipas planit. Do të përfundojmë formimin e ushtrisë rezervë deri në fund të qershorit dhe të korpusit në të ardhmen e afërt", theksoi ministri rus i Mbrojtjes.

Duke thënë se 114 mijë persona u rekrutuan në Forcat e Armatosura Ruse me kontratë të drejtpërdrejtë, Shoigu tha se kishte më shumë se 50 mijë vullnetarë.

Ai potencoi se mesatarisht 1.336 persona në ditë aplikojnë për shërbimin e kontraktuar ushtarak në Rusi.

AA