Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka deklaruar se vendimi për mobilizim të pjesshëm nuk është bllof.     Foto: Reuters

Presidenti Vladimir Putin ka shpallur mobilizim “të pjesshëm” ushtarak në Rusi, në një përshkallëzim të asaj që Moska e quan operacionin e saj ushtarak në Ukrainë. Në kuadër të këtij vendimi pritet të thirren gjithsej 300 mijë ushtarë rezervë.

“Unë e konsideroj të nevojshme të mbështes propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm për të kryer mobilizim të pjesshëm në Federatën Ruse,” tha Putin gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit të mërkurën.
Udhëheqësi rus tha se kishte nënshkruar një dekret për mobilizimin e pjesshëm, i cili do të fillojë të mërkurën.
“Bëhet fjalë për mobilizim të pjesshëm, që do të thotë se do t’i nënshtrohen rekrutimit vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura e që kanë një specialitet të caktuar ushtarak dhe përvojë përkatëse”, shtoi ai.
Fjalimi i Putinit drejtuar kombit erdhi një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore njoftuan planet për të mbajtur votime për t’u bërë pjesë integrale e Rusisë ndërsa konflikti arrin gati shtatë muaj.
Nuk është blof!
Putin shtoi se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj, duke akuzuar Perëndimin se kërkon të “shkatërrojë” vendin.
“Kur integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne me siguri se do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë. Ky nuk është një blof,” tha ai.
Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të aneksuar katër rajonet e Ukrainës mund të krijojnë skenën që Moska të përshkallëzojë luftimet pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.
Referendumet, të cilat priten të zhvillohen që në muajt e parë të luftimeve, do të fillojnë të premten në rajonet Luhansk, Kherson dhe pjesërisht të kontrolluara nga Rusia, Zaporizhzhia dhe Donetsk.

TRT Balkan / agjencitë