Presidenti rus Vlladimir Putin pati të shtunën një telefonatë me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për rrëzimin e avionit të Azerbajxhanit gjatë kësaj jave në Kazakistan dhe i kërkoi falje dhe i shprehu ngushëllime.
“Vlladimir Putin kërkoi falje për incidentin tragjik që ndodhi në hapësirën ajrore ruse dhe shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij të thella dhe të sinqerta për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve”, tha Kremlini në një deklaratë.
Putin theksoi se avioni i pasagjerëve të Azerbajxhanit kishte bërë përpjekje të shumta për t'u ulur në qytetin e Grozny, Çeçeni në një kohë kur sistemet ruse të mbrojtjes ajrore po i përgjigjeshin në mënyrë aktive një sulmi ukrainas me dron.
Ai i tha Aliyevit se Komiteti Hetimor Rus kishte iniciuar një rast sipas nenit 263 të Kodit Penal, i cili mbulon shkeljet e sigurisë së trafikut ajror dhe rregullave të funksionimit.
“Veprimet paraprake hetimore janë duke u zhvilluar, ku po konsultohen specialistë civilë dhe ushtarakë”, thuhet në deklaratë.
Të mërkurën, një fluturim i Azerbaijan Airlines nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në Grozny u rrëzua pranë qytetit Aktau, Kazakistan duke vrarë 38 persona dhe duke lënë 29 të mbijetuar mes 67 personave në bord.
Dy përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme e Azerbajxhanit janë aktualisht në Grozny duke bashkëpunuar me zyrtarë rusë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Komiteti Hetues.
Shërbime të ndryshme nga Rusia, Azerbajxhani dhe Kazakistani po koordinojnë ngushtë në vendin e rrëzimit pranë Aktaut për të menaxhuar pasojat e katastrofës.