Marrëdhëniet e Pekinit me Moskën kontribuojnë në "paqen dhe stabilitetin global", ka thënë sot presidenti kinez Xi Jinping, raportoi media shtetërore.
Xi i ka bërë këto komente gjatë bisedimeve me homologun e tij rus Vlladimir Putin në Pekin, i cili ndodhet në Kinë për një vizitë shtetërore dyditore.
"Stabiliteti dhe zhvillimi i marrëdhënieve Kinë-Rusi jo vetëm që u shërbejnë interesave themelore të të dyja vendeve dhe popujve të tyre, por gjithashtu kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal dhe global", i ka thënë Xi homologut rus Putin.
Xi mbajti një ceremoni mirëseardhjeje për Putinin, i cili mbërriti më herët gjatë ditës, në Sallën e Madhe të Popullit.
Kjo është vizita e parë e Putinit që nga fillimi i mandatit të tij të pestë si president pas zgjedhjeve në mars.
Kina dhe Rusia deklaruan një partneritet "pa kufij" në shkurt 2022 kur Putini vizitoi Pekinin, vetëm disa ditë para fillimit të "operacionit ushtarak special" në Ukrainë. Xi vizitoi Rusinë në mars të vitit të kaluar dhe të dy së fundmi u takuan në Forumin e 3-të "Brezi dhe Rruga" në tetor në kryeqytetin kinez.
"Marrëdhëniet Kinë-Rusi janë rritur nga forca në forcë, pavarësisht nga uljet dhe ngritjet, dhe i kanë qëndruar provës së ndryshimit të peizazhit ndërkombëtar", ka thënë Xi.
"Marrëdhëniet tona janë bërë shembull i shkëlqyer për vendet e mëdha dhe vendet fqinje që ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe çiltërsi, dhe të ndjekin miqësinë dhe përfitimin reciprok", ka shtuar ai.
Pekini dhe Moska i kanë përballuar stuhitë dhe i kanë qëndruar provës së ndryshimeve ndërkombëtare, duke krijuar një model të respektit të ndërsjellë, sinqeritetit, harmonisë dhe bashkëpunimit të favorshëm midis vendeve të mëdha dhe fqinje, ka deklaruar udhëheqësi kinez.
"Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të qëndruar fqinj të mirë të njëri-tjetrit, miq të mirë dhe partnerë të mirë që i besojnë njëri-tjetrit, vazhdojnë të konsolidojnë miqësinë e qëndrueshme midis dy popujve dhe së bashku të ndjekin zhvillimin dhe rigjallërimin kombëtar përkatës dhe të mbështesin drejtësinë në botë", ka thënë Xi.