Rama dhe Rutte theksojnë gjithashtu se KPE-ja nuk është zëvendësim për BE-në.     Foto: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Holandës Mark Rutte në një shkrim për median evropiane ‘Politico.eu’, kanë shprehur mbështetjen e tyre për projektin e Komunitetit Politik Evropian (KPE), i cili do të mbajë takimin e parë nesër (6 tetor) në Pragë të Çekisë.
Kryeministrat Rama dhe Rutte thonë se sidomos agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë ka theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë të Evropës kontinentale, në kohë kur, sipas tyre, presidenti rus Vladimir Putin po synon pikërisht përçarjen e Evropës. Dy kryeministrat inkurajojnë që Komuniteti Politik Evropian të jetë një trup elastik dhe pragmatik, duke minimizuar burokracinë në funksionim.
“KPE-ja duhet të jetë vendi ku të gjitha vendet demokratike europiane të mund të diskutojnë shqetësimet dhe sfidat e përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje. Komuniteti nuk duhet të jetë burokratik, por elastik. Ai duhet të orientohet jo nga agjendat fikse, por nga përparësitë që na prekin të gjithëve, përfshirë luftën në Ukrainë, varësinë energjetike dhe sigurinë ushqimore”, thuhet në shkrimin e firmosur nga kryeministrat Rama dhe Rutte.
Rama dhe Rutte theksojnë gjithashtu se KPE-ja nuk është zëvendësim për BE-në dhe integrimin e vendeve aspirante, por një nismë e veçantë politike që synon të përfshijë edhe vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ne kemi nevojë për një platformë e cila nuk u mbivendoset organizatave të forta rajonale që kemi tashmë në Europë e nuk i zë vendin procesit të mirëstrukturuar të anëtarësimit në BE për vendet kandidate. KPE-ja duhet të jetë një hapësirë ku të mund të takohemi e të bëjmë punë, pavarësisht nëse jemi anëtarë të BE-së apo jo”, thuhet më tej në shkrimin e dy kryeministrave.
Komunitetin Politik Evropian, përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, e përbëjnë edhe 17 vende të tjera evropiane, përfshirë Türkiye-n, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Tema diskutimi në takimin e parë në Pragë pritet të jenë kriza energjetike, siguria, klima, tregtia dhe të tjera.

ATA