Sipas zyrtarëve pro-rusë të rajoneve të shkëputura të Ukrainës, në të ashtuquajturat referendume të mbajtura në katër rajonet ukrainase, respektivisht në Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Donetsk, banorët kanë votuar në favor të bashkimit me Rusinë.
Sipas raporteve paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor të të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut (LPR), 98,42 për qind e votuesve në rajonin Luhansk të kontrolluar nga separatistët votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Leonid Pasechnik, kreu i LPR-së së vetëshpallur, sot do t’i drejtohet presidentit rus, Vladimir Putin, me një kërkesë për të shqyrtuar çështjen e bashkimit të LPR-së me Rusinë si një subjekt i federatës.
Ndërkohë, sipas rezultateve paraprake nga i ashtuquajturi komitet zgjedhor i rajonit Kherson, 87,05 për qind e votuesve në këtë rajon të Ukrainës votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Media shtetërore ruse raportoi edhe rezultatet paraprake të rajonit ukrainas Zaporizhzhia, sipas të cilave rreth 93 për qind e votuesve në këtë rajon po ashtu votuan në favor të bashkimit me Rusinë.
Ndërsa sipas zyrtarëve pro-rusë në rajonin Donetsk të shkëputur nga Ukraina, votimi në referendum në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut (DPR) ka përfunduar, me 99,23 për qind të banorëve që zgjodhën për t’u bashkuar me Rusinë
Komuniteti ndërkombëtar ka deklaruar se votimi në rajonet ukrainase të kontrolluara nga Rusia është i paligjshëm dhe nuk do të njihet. Megjithatë, mediat ruse raportuan për pjesëmarrje të lartë në votimet 5-ditore.
Zelenskyy: Nuk negociojmë me Moskën
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u zotua se Kievi do të mbrojë qytetarët e tij në rajonet e kontrolluara nga Moska dhe i hodhi poshtë referendumet si një "farsë".
Ai tha se votat nënkuptojnë se Kievi nuk do të negociojë me Moskën.
“Nuk ka asgjë për të folur me presidentin aktual rus”, tha Zelenskyy.
Forcat ruse këtë muaj kanë pësuar pengesa serioze në lindje dhe jug të Ukrainës, të cilat vëzhguesit thonë se e shtynë Putinin të nxitojë përpara me votimin për të çimentuar autoritetin e Moskës atje.
Putin tha se Rusia do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj, duke nënkuptuar se pas aneksimit, Moska mund të vendosë armë bërthamore strategjike për të zmbrapsur përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë territorin.
"Dua t'ju kujtoj - të shurdhërit që dëgjojnë vetëm veten e tyre: Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore nëse është e nevojshme", tha të martën në mediat sociale ish-udhëheqësi Dmitry Medvedev - një aleat i Putinit që tani është nënkryetar i këshillit të sigurisë së Rusisë.
OKB: Referendumet nuk janë sipas ligjit ndërkombëtar
Shefja politike e Kombeve të Bashkuara (OKB), Rosemary DiCarlo, tha se referendumet e mbështetura nga Rusia në territoret e pushtuara të Ukrainës nuk janë "një shprehje e vërtetë e vullnetit popullor" ose "ligjore" sipas ligjit ndërkombëtar.
"Veprimet e njëanshme që synojnë t'i japin një mbulesë të legjitimitetit tentativës për përvetësim me forcë të territorit të një shteti nga një shtet tjetër, ndërkohë që pretendojnë të përfaqësojnë vullnetin e popullit, nuk mund të konsiderohen si të ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar", tha Rosemary DiCarlo në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
DiCarlo tha se OKB mbetet plotësisht e përkushtuar për sovranitetin, unitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial, duke kërkuar që Rusia të respektojë ligjet e Ukrainës në territoret e pushtuara, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
28 Sht 2022
Referendumet pro-ruse në Ukrainë, për Kievin janë vetëm "farsë
Leonid Pasechnik, kreu i LPR-së së vetëshpallur, sot do t’i drejtohet presidentit rus, Vladimir Putin, me një kërkesë për të shqyrtuar çështjen e bashkimit të LPR-së me Rusinë si një subjekt i federatës.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore