Rikthehen në detyrë policët që sulmuan fotoreporterin e AA-së në Kuds.     /Foto

Dy oficerë të policisë izraelite, të cilët sulmuan fotoreporterin e Agjencisë Anadolu (AA), Mustafa Haruf, teksa ishte në detyrë në Kudsin Lindor të pushtuar, u rikthyen në detyrë përpara se të përfundojë hetimi kundër tyre.

Sindikata e Gazetarëve në Izrael dënoi rikthimin në detyrë të oficerëve agresivë të policisë.

“Vendimi i Policisë së Izraelit për të kthyer në zonë oficerët e policisë që rrahën brutalisht fotoreporterin Mustafa Haruf ndërsa është në vazhdim hetimi i tyre për këtë çështje, është një skandal dhe i papranueshëm”, thuhet në komunikatën e Sindikatës.

Mes të tjerash, sindikata thotë se policia izraelite, duke rikthyer në vend të punës policët në fjalë, dërgoi mesazhin se "gjaku i gazetarëve është i pavlefshëm".

Në komunikatë theksohet se ata si sindikatë synojnë të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar drejtësinë dhe thuhet se “Policia duhet të mbrojë lirinë e shtypit dhe punonjësit e policisë që përdorin dhunë duhet të ndëshkohen”.

TRT Balkan / agjencitë