Supervizorët në San Francisco votuan për t’i dhënë mundësi policisë së qytetit për të përdorur robotë potencialisht vdekjeprurës në situata emergjente.
Pas një debati të nxehtë që zgjati më shumë se dy orë të martën, me vota 8 ndaj 3, shumica u pajtua që t’i japë policisë këtë opsion, përkundër kundërshtimeve të forta nga grupet për liritë qytetare dhe grupet e tjera mbikëqyrëse të policisë.
Kundërshtarët thanë se kjo do të çonte drejt militarizimit të mëtejshëm të forcave policore, tashmë edhe ashtu shumë agresive ndaj komuniteteve të varfra dhe të pakicave.
Departamenti policor i San Franciscos, i cili tashmë ka një dyzinë robotësh funksionalë që përdoren për t’iu qasur bombave ose për të mundësuar sy në situata të shikueshmërisë së ulët, tha se nuk ka robotë të armatosur dhe nuk ka plane për armatosjen e tyre.
“Megjithatë, departamenti mund të vendosë robotë të ekipuar me mjete shpërthimi për të kontaktuar, paaftësuar ose dezorientuar të dyshuarin e dhunshëm, të armatosur dhe të rrezikshëm, nëse rrezikohen jetë njerëzish”, tha zëdhënësja Allison Maxie gjatë një deklarate.
“Robotët e armatosur në këtë mënyrë do të përdoreshin vetëm në rrethana ekstreme për të shpëtuar ose parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme”, tha ajo.
Aftësia për të vrarë nga larg
Supervizorët ndryshuan propozimin për të specifikuar se oficerët mund të përdornin robotë vetëm pasi të përdornin forcë alternative ose taktika të deeskalimit, ose të arrinin në përfundimin se nuk do të ishin në gjendje të nënshtronin të dyshuarin nëpërmjet mjeteve alternative.
Vetëm një numër i kufizuar i oficerëve të lartë mund të autorizojnë përdorimin e robotëve si alternativë vdekjeprurëse.
Zyra e mbrojtësit publik të San Franciscos të hënën i dërgoi një letër bordit duke thënë se dhënia e aftësisë që policia të vrasë anëtarë të komunitetit nga larg, shkon kundër vlerave progresiste të qytetit.
Supervizori Rafael Mandelman, i cili votoi në favor të autorizimit të këtij ligji, tha se ai shqetësohet nga retorika që e përshkruan departamentin policor si jo të besueshëm dhe të rrezikshëm.
“Mendoj se kemi një çështje më të madhe kur progresistët dhe politikat progresiste fillojnë të duken sikur antipolicore”, tha ai.
Presidenti i bordit të supervizorëve, Shamann Walton, i cili votoi kundër propozimit, tha se votimi nuk e bën atë kundër policisë, por pro njerëzve me ngjyrë.
“Vazhdimisht po kërkojnë nga ne të bëjmë gjëra në emër të rritjes së armatimit dhe mundësive për interaksion negativ mes policisë dhe njerëzve me ngjyrë. Kjo është vetëm një nga këto gjëra”, tha ai.