Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar janë vrarë 14.280 fëmijë, tha Zyra për Media e Qeverisë në Gaza gjatë prezantimit të të dhënave më të fundit për sulmet që Izraeli po kryen në Rripin e Gazës për 170 ditë.
Sipas Zyrës për Media, që nga 7 tetori, ushtria izraelite ka kryer 2.848 masakra ndaj civilëve palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra në Rripin e Gazës.
Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës gjatë 170 ditëve u vranë 32.226 persona, nga të cilët 14.280 fëmijë dhe 9.340 gra. Numri i të plagosurve nga këto sulme është mbi 74.500.
Të dhënat statistikore flasin se 73 për qind e viktimave të sulmeve izraelite janë gra e fëmijë, dhe në mesin e të vrarëve janë 364 punonjës shëndetësorë, 48 anëtarë të mbrojtjes civile dhe 136 gazetarë. Deri më tani, 27 fëmijë kanë vdekur nga uria në Gaza.
Rreth 7.000 njerëz janë të zhdukur ose të bllokuar nën rrënoja.
Në Rripin e Gazës janë regjistruar 17.000 fëmijë që kanë mbetur pa një ose të dy prindërit.
Për shkak të kolapsit të sistemit të kujdesit shëndetësor, 10.000 pacientë me kancer po përballen me vdekje. Numri i të plagosurve që kërkojnë trajtim mjekësor jashtë Gazës ka arritur në 11.000.
Rreth 700.000 njerëz u sëmurën nga sëmundjet infektive dhe 8.000 nga hepatiti viral për shkak të zhvendosjes.
Gjithashtu, në rrezik janë 60 mijë gra shtatzëna të privuara nga kujdesi mjekësor dhe 350 mijë pacientë kronikë për të cilët nuk ka ilaçe.
32 spitale dhe 53 qendra shëndetësore nuk punojnë, dhe 158 objekte shëndetësore janë objektiv i sulmeve. Ushtarët izraelitë arrestuan 269 personel mjekësor dhe 12 gazetarë.
Prej datës 7 tetor, Izraeli ka hedhur 70.000 tonë bomba mbi vendbanimet civile në Gaza, duke shkatërruar zona të mëdha.
Dy milionë njerëz janë zhvendosur për shkak të bombardimeve dhe granatimeve izraelite të Rripit të Gazës.
Në sulmet izraelite, 168 ndërtesa publike, 100 shkolla dhe universitete, 224 xhami, tri kisha, 200 monumente historike dhe 70.000 apartamente u shkatërruan plotësisht.
305 shkolla dhe universitete dhe 290 xhami janë shkatërruar pjesërisht, dhe 290.000 shtëpi janë të pabanueshme.